Shkatërrohet laboratori i drogës në Prizren, kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit
Prokuroria Themelore në Prizren, pas hetimeve, ka zhvilluar një aksion në Prizren, ku është zbuluar një laborator droge për kultivimin e bimës narkotike kanabis sativa.
Për këtë janë arrestuar dy persona dhe janë asgjësuar rreth 300 bimë kanabis sativa të kultivuara në laborator, raporton Zeri.info.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit M.M. dhe I.M., pa autorizim, kanë kultivuar bimët me qëllim prodhimin e sasisë së madhe të narkotikëve dhe përgatitjen e tyre për shitje.
Të dyshuarit fillimisht janë ndalur për 48 orë, kurse Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Bëhet e ditur se gjatë kontrollit janë gjetur e sekuestruar: mbi 700 vazo për kultivimin e bimëve narkotike, pajisje për ndriçim, ngrohje dhe ventilim të bimëve (motorë, trafo, klimë, lidhëse dhe termostat); thasë me dhe, bidonë me preparate për rritjen e bimëve, dhe libra/udhëzues për kultivimin e kanabis sativa, gjethe dhe bimë të dyshuara narkotike me peshë mbi 90 gram; substanca narkotike 1.19 gram marihuanë dhe 0.41 gram kokainë, pajisje shtesë laboratorike, përfshirë pompë spërkatjeje, matës të lagështisë dhe temperaturës, dhe mbushës radiolidhjeje, një pistoletë, 29 fishekë, një veturë “Hundai pa targa, dhe një furgon që kanë shërbyer për transportin e narkotikëve dhe të pajisjeve për kultivimin e tyre, si dhe prova të tjera materiale. /Zëri