Dhuna në Kosovë mbetet shqetësuese, shumë raste brenda ditës
Dhuna në Kosovë mbetet një problem shqetësues për shoqërinë, pasi raportet e Policisë tregojnë se çdo ditë paraqiten raste të dhunës në familje, por edhe të dhunës në përgjithësi. Edhe raporti 24-orësh i fundit paraqet disa raste të tilla në rajone të ndryshme të vendit, disa prej të cilëve kanë përfunduar me arrestime.
Në Shtërpcë, një mashkull kosovar është arrestuar për dhunë ndaj një femre, ndërsa në Pejë një mashkull kosovar ka ushtruar dhunë ndaj një mashkulli tjetër dhe momentalisht ndodhet në kërkim policor.
Në Skenderaj, një rast i dhunës fizike ndaj një femre është regjistruar dhe pas intervistimit i dyshuari është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt hetimore.
Raporti i policisë përfshin edhe raste të dhunës jashtë familjes. Në Prishtinë, një mashkull kosovar është sulmuar fizikisht dhe vetura e tij është dëmtuar; viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar.
Po ashtu, janë regjistruar raste të kanosjes. Një person ka kanosur verbalisht zyrtarët policorë në Kaçanik dhe është arrestuar e dërguar në mbajtje, ndërsa një viktimë femër në Klinë është kanosur përmes telefonit; i dyshuari është arrestuar dhe më pas i liruar në procedurë të rregullt hetimore.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha rastet po trajtohen nga prokuroria dhe disa prej të dyshuarve mbeten në kërkim ose në mbajtje.
Autoritetet nënvizojnë se dhuna mbetet një sfidë serioze për shoqërinë kosovare dhe apelojnë për ndërgjegjësim, respektim të ligjit dhe raportim të çdo incidenti për të parandaluar eskalimin e saj.
Ndryshe, sipas të dhënat statistikore, dhuna në familje në Kosovë po shënon rritje alarmante. Nga janari deri në tetor të vitit 2025 janë raportuar mbi 2.400 raste, ku shumica dërrmuese e viktimave janë femra. Ndërkaq, gjatë periudhës 2023–2025 janë raportuar mbi 8 mijë raste të dhunës në familje.