Gjukanoviqi deklarohet e pafajshme për spiunazh
Foto: Laura Hasani

Gjukanoviqi deklarohet e pafajshme për spiunazh

Kronika April 03, 2026 - 12:33

Në vazhdimin e gjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, zyrtarja e OSBE-së Jellena Gjukanoviq, të cilën Prokuroria Speciale e akuzon për veprën penale të spiunazhit në favor të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë, përsëriti se nuk e pranon fajësinë.

Prokurori në fjalën hyrëse deklaroi se ajo ka ndihmuar shërbime të huaja të inteligjencës, ndërsa avokati i saj, Predrag Milkoviq, pretendon se për këtë “nuk ekziston asnjë provë”.

Gjukanoviqi, pasi deklaroi se e kupton aktakuzën dhe veprat që i vihen në barrë, theksoi se nuk ndihet fajtore dhe nuk e pranon fajësinë.

Në fjalën hyrëse, prokurori special theksoi se, bazuar në prova, Gjukanoviqi ka ndihmuar shërbime të huaja të inteligjencës, në këtë rast BIA-n serbe, dhe ka kontribuuar në krijimin e narrativave armiqësore kundër Kosovës, transmeton Paparaci.

“Gjatë këtij gjykimi do të vërtetohet se Gjukanoviqi në vazhdimësi ka keqpërdorur besimin institucional”, ka theksuar ai. Avokati Predrag Milkoviq ka thënë se është interesante që rasti i madh i spiunazhit “nuk ka asnjë provë”.

“Ka raporte policore që përfaqësojnë mendimin subjektiv të autorëve të tyre. Raportet përdoren për t’i raportuar eprorëve”, ka thënë ai. Ai ka pretenduar se gjatë këtij procesi do të tregojnë se “nuk ka prova” që e akuzuara ka vepruar me qëllim për të ndihmuar ndonjë shërbim të huaj.

“Dhe se i gjithë ky rast nuk bazohet në fakte. Nuk mjafton që diçka të duket e dyshimtë. Duhet të provohet”, ka thënë Milkoviqi.

Gjukanoviqi në seancën e parë më 16 shtator të vitit të kaluar është deklaruar e pafajshme.

Ajo u arrestua më 28 shkurt të vitit të kaluar nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit, pas një hetimi disamujor.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 2 shtator 2025 ngriti aktakuzë kundër Jellena Gjukanoviqit, duke e ngarkuar se nga një datë e papërcaktuar deri në arrestimin e saj më 28 shkurt 2025, si zyrtare lokale e OSBE-së në Kosovë, në Zyrën Rajonale në Mitrovicë, me vetëdije të plotë dhe qëllim të drejtpërdrejtë ka kryer disa veprime që përbëjnë ndihmë aktive për shërbimin e inteligjencës – Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) të Serbisë.

Ajo akuzohet se ka ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme që i ka siguruar gjatë kryerjes së detyrave të saj zyrtare në kuadër të OSBE-së, përmes komunikimeve të shumta me Aleksandar Vllajiqin, tashmë të dënuar për spiunazh dhe agjent rezident i BIA-s”. /Paparaci