Prangoset një person në Gjakovë, i gjenden mbi 5 kg substancë narkotike
Policia e Kosovës, përmes njësive të saj nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Drejtoria kundër Krimit të Organizuar, Drejtoria e Krimeve të Rënda dhe Drejtoria Rajonale e Gjakovës, gjatë zbatimit të një plani taktik më 03.04.2026, ka ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja, e cila drejtohej nga i dyshuari A.B. (1978).
Gjatë kontrollit të automjetit, në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhe sekuestruar dhjetë (10) paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 5 kilogramë e 413 gramë.
Po ashtu, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe automjeti, si dhe dy telefona mobil që i përkisnin të dyshuarit.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar për intervistim, ndërsa me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. /Zëri