Prokuroria Speciale: Prangoset një i dyshuar për krime lufte në komunën e Kaçanikut
Një person është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Speciale, ku kanë bërë të ditur që gjatë arrestimit janë sekuestruar një armë, dy karikatorë, 30 fishekë, një armë gjueti si dhe një uniformë e MUP-it serb.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kanë arrestuar A.D., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’. I pandehuri A.D., dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth në Komunën e Kaçanikut. Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar: Një armë, Dy karikatorë, 30 fishekë, Një armë gjuetie ajrore, Uniformë e MUP-it”, tha Prokuroria.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës thanë se riafirmojnë angazhimin në ndjekjen penale dhe hetimin e të gjitha rasteve të krimeve të luftës së fundit në Kosovë.