Policia sërish gjen municion dhe pajisje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në Zubin Potok
Policia e Kosovës sërish ka gjetur municion e pajisje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në Zubin Potok, përkatësisht në fshatin Padinë, shkruan Zeri.info.
Sipas raportit ditor, në këtë shtëpi të pabanuar janë gjetur dhe konfiskuar 15 copë fishekë të mbushur, 11 fishekë të zbrazur, një makinë për mbushjen e fishekëve, një sasi baruti, diabola dhe një pjesë uniforme ushtarake.
Policia bën të ditur se rasti është nën hetime, përderisa thekson se nuk ka asnjë të arrestuar për këtë rast.
Raportime të tjera të Policisë kanë treguar se në zona të ndryshme të veriut të Kosovës, duke përfshirë edhe Zubin Potokun, janë gjetur armë automatikë, municion e pajisje taktike në objekte të braktisura, shpesh pa persona të arrestuar.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar nga kush janë vendosur këto armë dhe pajisje, si dhe për të parandaluar trafikimin apo përdorimin e tyre në mënyrë të paligjshme.
Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Armëmbajtje pa leje
Fsh. Padinë, Zubin Potok 06.04.2026-14:50. Policia gjatë patrullimit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe konfiskuar municion të pushkës së gjuetisë: 15 copë fishekë të mbushur, 11 fishekë të zbrazur, një makinë për mbushjen e fishekëve, një sasi baruti, diabola dhe një pjesë uniforme ushtarake. Nuk ka të dyshuar, rasti nën hetime. /Zëri