Djegia e kamionit në autostradën “Ibrahim Rugova”, Policia jep detaje
Një kamion është përfshirë nga zjarri mesditën e sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në relacionin Suharekë - Duhël.
Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili theksoi se fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar.
“Më datën 08.04.2026, rreth orës 12:25, Policia ka pranuar informatën se një kamion është përfshirë nga zjarri në relacionin Suharekë - Duhël (në autostradë). Radiobaza ka njoftuar Stacionin Policor në Suharekë për të dërguar zjarrfikësit, si dhe një patrullë policore në vendin e ngjarjes. Për incidentin është informuar edhe njësiti patrullues i autostradës. Lidhur me rastin, një qytetare ka kërkuar edhe ndihmën e Ekipit të Urgjencës, pasi ngasësi i kamionit dhe një pasagjer, megjithëse nuk kanë pësuar lëndime, janë në gjendje të shqetësuar. Stacioni Policor është njoftuar që të orientojë Ekipin e Urgjencës drejt vendngjarjes”, tregoi Bytyqi.
Bytyqi po ashtu ka theksuar se për shkak të djegies së këtij kamioni, rruga në segmentin Suharekë - Duhël mbetet e bllokuar. /Zëri