I akuzuari për vrasje me thikë në Hajvali në vitin 2021 dënohet me 20 vjet burg
Shkumbin Kryeziu, i akuzuar për vrasjen me thikë që ka ndodhur në Hajvali në vitin 2021, është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës dhe është dënuar me 20 vjet burg.
Kryeziu po akuzohet se së bashku me një të mitur pas disa mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishin pasur me tashmë të ndjerin V. Xh., me qëllim që ta privojnë nga jeta e kanë goditur me thika dhe si pasojë e plagëve V. Xh., ka vdekur.
Për këtë rast, Kryeziu është dënuar me 19 vite e gjashtë muaj dënim me burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe për armëmbajtje 1 vit burgim. Si dënim unik atij iu dhanë 20 vite burgim.
Prezent gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ka qenë i akuzuari.
Gjykata Themelore në Prishtinës, më 25.07.2024, e kishte dënuar të akuzuarin Shkumbin Kryeziu me 20 vjet burgim për këtë rast, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim.
Kjo çështje penale në rigjykim është trajtuar nga trupi gjykues i përbërë nga Ertan Sejfulla (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët, Fatime Dërmaku edhe Naser Foniqi.
Lidhur me këtë çështje penale prokurori i rastit Arben Hoti në fjalën përfundimtare në shqyrtimin e parë gjyqësor kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje në bashkëkryerje”.
Prokuroria këtë ricilësim e kishte bërë duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, sipas të cilit Gjykata, duke vepruar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të të miturit (i ngarkuar në procedurën për të mitur si bashkëkryerës i kësaj vepre penale), kishte aprovuar kërkesën.
Më tej kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, me të cilat i mituri si bashkëkryerës ishte gjykuar fillimisht për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, mirëpo sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme ishte bërë ricilësimi i kësaj vepre penale në “vrasje”.
Në bazë të kësaj Prokuroria kishte konsideruar se meqë ka të bëjë me të njëjtën vepër penale të kryer në bashkëkryerje, ricilësimi i veprës penale ka karakter detyrues edhe për të pandehurin Shkumbin Kryeziu.
Ndaj të miturit është zhvilluar një procedurë tjetër dhe është dënuar.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së ngritur më 29.12.2022, më 10.12.2021 rreth orës 21:15 në fshatin Hajvali, pasi që ka zbritur nga autobusi i ndjeri V.Xh., bashkë me dëshmitarin Kujtim Pacolli, rrugës për të shkuar në shtëpi i kishin rënë rrugës më të shkurtër, ishte takuar me të miturin në oborrin e Shkollës, ku ishin edhe dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, të cilët ishin konfliktuar me fjalë. Në atë moment i mituri e kishte nxjerrë thikën dhe në ato momente kishte arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë së bashku më të miturin e kishin ndjekur të ndjerin.
Sipas aktakuzës me të ndjerin duke ikur ishte edhe dëshmitari Kujtim Pacolli, ku dëshmitari ishte rrëzuar, ndërsa i pandehuri bashkë me të miturin kanë vazhduar ta ndjekin tashmë të ndjerin dhe të dy me dy thika në dorë nga hakmarrja e paskrupullt, për shkak të disa mosmarrëveshjeve më herët që kanë pasur, e godasin me thika në trup V.Xh., i cili për shkak të plagëve të marra në trup ka vdekur në QKUK.
Me këtë i pandehuri Shkumbin Kryeziu dhe i mituri kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohet edhe për “arëmbajtje pa leje”.