Të shtëna armësh në Kaçanik, arrestohet një 26-vjeçar
Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën, rreth orës 20:15, ka pasur të shtëna me armë zjarri në fshatin Bajnicë të Kaçanikut.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku dyshohej se disa persona të panjohur kishin shkuar në thellësi të malit dhe kanë shkrepur me armë “AK-47” rreth dy karikatorë në ajër.
“Njësiti i hetimeve të Stacionit Policor në Kaçanik, pasi ka kryer shikimin e vendit të ngjarjes, ka gjetur 49 gëzhoja, më pas ka arritur të lokalizojë edhe veturën e dyshuar, e cila është gjetur në parkingun e një autoservisi”, thuhet nga Policia.
Ndër të tjera, bëhet e ditur se i dyshuari është identifikuar dhe është E.S., 26-vjeçar, tek i cili është sekuestruar një armë zjarri pushkë automatike e tipit “AK-47”, si dhe 35 fishekë.
“I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik dhe është intervistuar dhe me vendim të prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ‘Përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm’, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim. /Zëri