Ndërhyrja e Policisë parandalon përleshjen në mes të 28 të miturve
Një konflikt i mundshëm mes disa grupeve të miturish është parandaluar nga Policia e Tiranës në zonën e Kombinatit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja”, ndërhynë pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin.
Policia bën me dije se të miturit u lokalizuan në rrugën “Llambi Bonata”, ku ishin të ndarë në disa grupe.
“Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjatë kontrollit fizik, disa prej të miturve iu gjetën mjete të mprehta, përfshirë thika dhe kaçavida, si dhe disa maska. Në total, Policia sekuestroi pesë armë të ftohta/mjete të mprehta, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Pas shoqërimit, veprimet procedurale ndaj të miturve u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve. Pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç.
“Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi zhvillimin e konfliktit ndërmjet disa të miturve”, njofton Policia e Shtetit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.