Muzeu që ruan kristalet e bukura të Kosovës

Kultura January 01, 2019 - 08:26
Detajet
Image

Rrugës që të dërgon për në Shalë të Bajgores, afër Minierës së “Trepçës”, në Stantërg të Mitrovicës gjendet ndërtesa e Muzeut të Kristaleve dhe Mineraleve të Kosovës – “Trepça”, ku ruhen, mbrohen e ekspozohen kristalet dhe mineralet e nxjerra nga nëntoka e Kosovës, jo vetëm në Komunën e Mitrovicës, të cilat kanë vlerë të lartë muzeore e monetare dhe janë të papërsëritshme diku në botë. Ky muze hap dyert për vizitorë çdo ditë pune, shkruan gazeta "Zëri".

Mbi 2 mijë eksponate para vizitorëve

I themeluar në vitin 1964, ky muze ka për qëllim promovimin e ruajtjen e kristaleve të bukura e të vlefshme të Kosovës. Që nga viti 2012 me fonde të Qeverisë së Republikës së Kosovës është ndërtuar objekti i ri e modern i këtij muzeu. Për gazetën “Zëri” Ibrahim Musa, ciceron në këtë muze, ka treguar se aty për vizitorë ekspozohen rreth 2 mijë eksponate. “Këtu në këtë muze i kemi mbi 2 mijë eksponate, ku më shumë se 90% nga to janë kristale dhe minerale nga Miniera e ‘Trepçës’. Gjithashtu këtu ruhen edhe eksponatet të cilat i kemi shkëmbyer me shtetet e tjera në të kaluarën. Me Indinë, Kinën, Brazilin, Japoninë e vende të tjera. Pra përpara kanë ndodhur këso shkëmbime mes shtetesh. Kohët e fundit kemi filluar të mbledhim edhe eksponate të tjera, të rajonit të Kosovës, për shkak se siç e dimë nëpër Kosovë ka edhe minerale në rajonet e tjera”, ka bërë të ditur Musa. Sipas Musës, këto kristale që kanë zënë vend në hapësirat e këtij muzeu dhe kanë filluar të grumbullohen rreth gjashtë dekada më parë përveç vlerës muzeore që kanë ato gjithashtu kanë edhe vlerë monetare. “Këto eksponate kanë filluar të mblidhen që nga viti 1960 e deri në ditët tona. Kristalet që ruhen në muzeun tonë kanë vlerë të lartë edhe monetare, edhe muzeore për shkak të karakteristikave, formave e përmbajtjes”, tregon ciceroni Musa.

“Çikagoja” e “Trepçës”

Në hyrje të ndërtesës së këtij muzeu të gjithë vizitorët kanë mundësi të shohin një blogdiagram ku paraqitet në 3D e gjithë Miniera e “Trepçës”. E veçanta e tij është se ky blogdiaram është punuar nga gjeologët e “Trepçës” rreth 40 vjet më parë dhe përmes tij vizitorëve të muzeut u paraqitet e vizualizuar mënyra sesi është e ndërtuar Miniera e “Trepçës” nga brenda. “Ky blogdiagram është punuar rreth 40 vjet përpara nga gjeologët e ‘Trepçës’ dhe e prezanton minierën ‘Trepça’ në 3D. Në të janë të paraqitura të gjitha elementet, trupat xeherorë, shkëmbinjtë rrethues, korridoret, vendpunishtet etj. Mendohet se brenda në minierë janë hapur rreth 200 km rrugë e korridore ku minatorët punojnë. Përndryshe, miniera ka 11 kate, ose siç i quajmë ne horizonte. Deri më tani deri në 800 metra thellësi është e hapur dhe përmes këtij blogdiagrami ne kemi mundësi t’ua ilustrojmë të gjithë vizitorëve se si duket dhe si funksionon kjo minierë”, ka sqaruar Musa për “Zërin”. I pyetur se cili është më i veçantë nga gjithë ata gur të çmuar e kristale që i prezanton para vizitorëve çdo ditë, ciceroni Musa veçon një galenit, të cilin e kanë quajtur “Çikago”. “Një kristal më i veçantë që ruhet këtu është një galenit, të cilin ne e kemi emëruar si ‘Çikago’ për shkak të formave dhe kristalizimit që ka e që na ka ngjasuar me qytetin e Çikagos. Është i veçantë, unik, sepse rrallë mund të gjendet diçka që i përngjan këtij diku në botë”, tregon ai.

Muzeu i Kristaleve dhe Mineraleve mbyll vitin me 8 mijë vizitorë

Ndonëse gjatë këtij viti ky muze ka numëruar rreth 8 mijë vizitorë, menaxhmenti i tij konsideron se duhet të bëhet më shumë që të rritet numri i tyre. Ata për “Zërin” tregojnë se ka interesim nga individë, grupe të organizuara vendorësh e ndërkombëtarësh, nxënës e studentë që vijnë ta vizitojnë këtë muze, por sipas tyre ekziston nevoja e krijimit të një strategjie që do të tërhiqte edhe më shumë vizitorë. “Numri i vizitorëve është në rritje. E vërejmë se nga viti në vit numri i vizitorëve në këtë muze rritet. Vitin e kaluar i kemi pasur rreth 4 mijë vizitorë në vit, sivjet numri ka arritur deri në 8 mijë vizitorë. Jemi të përkushtuar të punojmë që ky numër të rritet edhe më shumë. Po angazhohemi që numri i vizitorëve të rritet, sepse me të vërtetë ia vlen që të vizitohet ky muze”, thotë ciceroni.

Që nga viti 2012 ky muze është ndarë nga “Trepça” dhe funksionon si Muze Shtetëror në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Ky muze i ka tetë punëtorë, katër prej tyre janë staf profesionalë, kurse katër janë roje të muzeut. “Ne punojmë çdo ditë pune, nga e hëna në të premten dhe nga ora 8:00-16:00. Në raste të veçanta punojmë edhe në fundjavë”, tregon udhërrëfyesi i këtij muzeu.

Sipas drejtuesve të këtij muzeu, sa ka qenë në menaxhim të “Trepçës” ky muze është rifreskuar më shumë me minerale, kurse tani kjo gjë ndodh më rrallë. Ata kujtojnë se dikur para shumë vitesh, kur punët në Minierën e “Trepçës” funksionin më ndryshe, ka qenë një ekip i veçantë nga kjo minierë, i cili e ka pasuruar këtë muze me kristale e me minerale të reja./ZERI/

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image