Shuhet babai i albanologjisë, Idriz Ajeti
foto: Laura Hasani

Shuhet babai i albanologjisë, Idriz Ajeti

Kultura shkurt 14, 2019 - 10:52
Image

Ka vdekur më 13 shkurt në moshën 102-vjeçare akademiku Idriz Ajeti, veprat e të cilit do të mbeten në kujtesë si vlerë në fushën e albanologjisë dhe të kulturës shqiptare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me prejardhje nga Tupalla e komunës së Medvegjës, Ajeti që nga vegjëlia u rrit pranë një familjeje me tradita arsimore. Në vitin 1938 ai u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e Romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949, në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953 me cilësi profesori të gjuhës shqipe punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960 me cilësi lektori jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, ai dha mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës.

Vdekja e kolosit të gjuhës ka prekur gjithë shqiptarët. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vdekjen e akademikut Ajeti e vlerësoi si një humbje të madhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe për tërë shoqërinë tonë. “Profesorin Idriz Ajeti do ta kujtojmë gjithmonë si njëri prej intelektualëve më të dalluar, që punoi shumë për albanologjinë. Ai dha kontribut të madh në jetën shkencore e kulturore në vendin tonë. Ngushëllimet më të thella për familjen Ajeti, për ASHAK-un dhe për të gjithë kolegët e miqtë e akademikut Idriz Ajeti”, shkruan Thaçi.

Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në njoftimin për vdekjen e Ajetit ka thënë se prania e tij në jetën shkencore e kulturore, si dhe në të gjitha zhvillimet shoqërore ka qenë e dukshme dhe thelbësore. “Me vdekjen e akademik Idriz Ajetit Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur autoritetin nga më të mëdhenjtë e punës shkencore te ne, profesorin, veprimtarin, njeriun e urtë dhe të dijshëm”, shkruhet në komunikatën e ASHAK-ut.

Në mbledhjen komemorative kryetari i ASHAK-ut, Nexhat Daci, tha se janë krenarë që akademik Ajetin e patën koleg, mik dhe udhëheqës për një kohë të gjatë. “Asnjëherë në asnjë periudhë akademik Ajeti nuk e ka lëshuar rrugën e drejtësisë kombëtare dhe intelektuale dhe e kemi pasur gjithmonë në përkrahje”, ka thënë ai.

Ndërsa akademik Rexhep Ismaili foli për jetën dhe veprën e Idriz Ajetit, duke thënë se ai ishte një doajen i dijes albanistike. “Si dijetar ai tërë jetën luftoi për popullin e vet dhe këtë veprimtari, i kishte të vetat dinjitetin dhe ngrohtësinë”, tha ai.

Studiuesi Sabri Hamiti ka vlerësuar Ajetin si “Babanë e albanologjisë”. Ai ka thënë se nderimi dhe kujtimi për të do të jenë të përhershëm sa të jetë shqipja. “Njëri nga studiuesit më të mëdhenj të historisë së gjuhës shqipe që studimet e veta i botoi në një seri monografish shkencore, të paraqitura edhe në nivel të librave universitarë e shkollorë, për t’i përhapur si ide e si rezultate për brezat e rinj”, u shpreh Hamiti.

Hamiti e vlerësoi Ajetin si punonjës i palodhur për standardizimin e shqipes dhe se të gjithë brezat e studentëve dhe të studiuesve të shqipes në Prishtinë janë nxënës të drejtpërdrejtë ose të ndërmjetëm të tij. “Ka qenë i admiruar nga studentët e tij, të cilëve ua ka mësuar shkrimin e bukur të shqipes. E kanë lexuar ata, por i ka lexuar edhe ai me vëmendje të jashtëzakonshme.

Ka qenë një reagues i rreptë, konciz dhe i pakompromis kundër lajthitjeve dhe diletantizmit në fushën e studimeve shqiptare. Ka mbrojtur me përkushtim origjinën antike të shqipes në konferenca shkencore dhe në ballafaqime politike e nacionale. Është emblematike kjo mbrojtje e shqiptuar fuqishëm edhe në Beograd, në qerthullin e nacionalizmit agresiv serb kundër shqiptarëve. Reagim i bërë ky madje në tribunën e tyre politike”, shkruan studiuesi Hamiti. Më tutje ia thotë se Idriz Ajeti do të vlerësohet dhe do të kujtohet sa herë të përmenden shqipja dhe shqiptarët.

Ajeti u kujtua edhe nga gjithë vendasit e tij, duke e konsideruar edhe si figurë emblematike e Luginës së Preshevës.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se vdekja e akademik Idriz Ajetitit është  humbje e madhe për kombin shqiptar. “Mbi një shekull jetë dhe shumë decenie veprim e bëjnë veprën e Akademik Ajetit të pavdekshme, gjurmët e së cilës do të jetojnë shumë gjatë. Akademik Ajeti përveçqë ishte pasuri kombëtare, ai ishte edhe krenari jona, e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në tërësi”, ka shkruar Kamberi.

Presidenti Ibrahim Rugova e pati dekoruar me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit Ajetin, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me “Çmimin Presidencial për Studiues”. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve shqiptare-serbe janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Ai hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Gjatë viteve 1969-1971 Idriz Ajeti ishte drejtor i Institutit Albanologjik, kurse më 1971-1973 ishte dekan i Fakultetit Filozofik. Në vitet 1973-1975 ai ishte rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës ai zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Zëri