Artistja Doruntina Ukimeri risjellë “Çejzin” përmes filigranit të letrës

Artistja Doruntina Ukimeri risjellë “Çejzin” përmes filigranit të letrës

Kultura shkurt 14, 2019 - 11:10
Lexoni detajet e fundit

“Çejzi” është praktikë që manifestohet përmes institucionit të martesës. Më saktësisht, është një formë e relacioneve që fillon të paraqitet që në moshë të re për të udhëzuar përgatitjen për martesë, shkruan Syri.netKosova.

Sipas traditës "Çejzi" është një grumbullim i pasurisë të cilën sipas këtij rituali gjithnjë e bart një grua kur të lidhë kurorë me një burrë. 

Përgjatë kohës kjo traditë ka pësuar ndryshime duke kryer funksione të ndryshme, kryesisht të lidhura me çështjet e trashëgimisë materiale, zbatueshmëria e së cilës mund të konsiderohet si tregues i rendit normativ gjinor dhe patriarkal i funksionimit shoqëror. 

Në anën tjetër, kjo praktikë është karakterizuar me një proces të ndërlikuar të punëdorës si dhe është shfaqur përmes një estetike të veçantë e cila si e tillë ngërthen në vete vlera të trashëgimisë kulturore. 

Sot, roli fillestar i “Çejzit” pjesërisht është tjetërsuar, dhe rrjedhimisht në periudhat e fundit, sidomos gjatë shek. 20, është komodifikuar duke sjellë një marrëdhënie të re të gruas me punën.

Doruntina Ukimeri risjellë “Çejzin” përmes filigranit të letrës i cila është fokusi i praktikës së saj artistike. 

[Image]

Përmes “Çejzit” Doruntina tenton të eksplorojë transformimin e kësaj traditë dhe nga aty, ajo ripërpunon disa nga figurat e gjetura shpesh në punimet e “Çejzit”. 

Ajo risjellë këto figura të përsëritura, duke theksuar elemente estetike që sipas saj janë reprezentimi më tipik i “Çejzit”, duke prodhuar një formë tjetër, përmes një mediumi të pazakonshëm prej punimeve të zakonshme. 

“Kam dasht me trajtu çejzin si një traditë shumë të vjetër që ka arritur deri në ditët tona e transformume, por që është një traditë që ka ekzistu shumë moti, dhe jo vetëm në kulturën shqiptare por edhe në kulturat tjera. Besoj që kjo temë nuk është trajtuar sa duhet ndaj që shumë vite kam që punoj me teknikën filigran në letër dhe më është duk e përshtatshme me trajtu elementet që i përmban çejzi me anë të kësaj teknike”, ka thënë Ukimeri.

Punimet me grep, që njihen si tentene, çorapet dhe goblenët e qëndisur, të punuara me një teknikë mjaft delikate, paraqesin transformimin që ka pësuar çejzi si traditë shqiptare.

Punimet e ekspozuara në Hapësirën “Motrat”, janë versioni i vetëm i çejzit që Doruntina e ka realizuar.

Lola Sylaj, drejtoreshë arstistike “Hapësira Motrat”, ka thënë së në këtë hapësirë zakonisht zgjedhin artistë që nuk kanë kanë pasur ekpsozita më herët.

“Çejzi” i Doruntina Ukimerit do të jetë i ekspozuar në Hapësirën “Motrat” deri me datën 20 shkurt, ndërsa do të përmbyllet me një diskutim të hapur në lidhje me marrëdhënien mes artit dhe traditave.