Kur pasioni për vallëzim kurorëzohet me sukses

Kur pasioni për vallëzim kurorëzohet me sukses

Kultura March 24, 2019 - 11:39
Lexo më shumë detaje
Image

Për Erna Salihun mosha nuk ka rëndësi. Vetëm në moshën 19-vjeçare ka arritur që të profesionalizojë disa lloje të vallëzimeve, si kërcimet latine siç është salsa ose kërcimin zumba, tango e valle folklorike, për të cilat është certifikuar.

Për gazetën “Zëri” Salihu ka treguar se së fundi ka hapur studion e saj në shtëpi dhe ka bërë disa grupe nxënësish të cilët ushtrojnë vazhdimisht. Ajo ka treguar se si ka filluar tregun me një nxënës dha ka rezultuar në grupe nxënësish të grupmoshave të ndryshme.

“Kam dy grupe të nxënësve që ushtrojnë zumba, janë gra pak më të vjetra, të cilat ushtrojnë për disa arsye, pos dëshirës që e kanë, ato ushtrojnë edhe për humbje peshe, për shkak se ky lloj i vallëzimit karakterizohet me lëvizje të shpejta dhe të cilat reflektojnë në humbje peshe”, mësohet nga Salihi, e cila më tutje thotë se ka edhe disa grupe fëmijësh, vajza dhe djem të moshave prej pesë vjeç e më tutje.

Erna tregon se është certifikuar nga një çerdhe e Prishtinës, ku ka bërë praktikën e ku ka mësuar se si është të punosh me fëmijë edhe në aspektin pedagogjik. “Ky lloj certifikimi ka qenë vlerësues, pasi që shumë pak persona e zotërojnë dhe është disiplinë në vete e cila do punë dhe përkushtim”, tha ajo, duke vlerësuar se të punosh me fëmijë është drejtim i veçantë, pasi që janë të përkushtuar në nxënie, i kapin hapat shpejt dhe janë produktivë.

Erna Salihi ka qenë edhe vallëzuese në ansamblin e Prishtinës “Ylberi i Prishtinës”, ku për dhjetë vjet ka qenë pjesë e ansamblit dhe ka ushtruar për dy vjet rolin e asistentes së Dilaver Kryeziut. Ajo kujton se ky ansambël i ka ndihmuar jashtëzakonisht për të udhëtuar, për të parë dhe për të vlerësuar kultura nga më të ndryshmet e që sipas saj ka marrë të mirat kudo që ka shkuar. Ajo kujton se për vallëzimin folklorik janë vlerësuar me vendin e parë në Turqi.

Erna ka përfunduar shkollën e muzikës në “Prenk Jakovë”, ku ka ushtruar për tetë vjet instrumentin e trumbetës e që sipas saj ka kërkuar shumë mund dhe përkushtim, duke ushtruar me nga gjashtë orë jashtë shkollës dhe profesor ka Besim Gashin.

Tani Salihu është edhe pjesë e orkestrës “Postcestra”, ku pretendon ta zhvillojë edhe rolin e instrumentit “trumbetë”.

Baletin nuk e ka lënë anash, ajo ia ka krijuar një hapësirë vetes duke e përfunduar shkollën e baletit online “American Balet”, shkollë kjo që kryhet përmes internetit.

Image

Së fundi Erna është duke studiuar edhe shkencat politike. E pyetur se prej nga kjo ide për vazhdimin e studimeve në këtë fushë, ajo thotë se duke parë që perspektiva për instrumentistë nuk është në rrugën më të mirë të mundshme në Kosovë, duhet të zhvillosh edhe të tjera profesione për ta kompletuar veten. “Në fushën e politikës nuk jam futur për t’u bërë politikane dhe as për t’u marrë me politikë, por është një fushë që të jep hapësirë që të krijohet një rreth me njerëz të cilët dëshirojnë të ndryshojnë në shoqëri”, tha Salihu për “Zërin”.

Ajo tregon se si ka arritur që në moshën 16-vjeçare të zotojë profesionalitetin në këto drejtime. “Në shtëpi më është krijuar hapësira për ta çelur një studio të vogël. Pasi që kisha arritur këto eksperienca unë dhe familja bëmë bashkë fuqinë dhe menduam ta provojmë se sa do të ketë sukses. E kam filluar punën me një nxënës e që dikur numrit një iu shtuan edhe shumë njësha. Puna ime ka arritur të promovohet nga vetë nxënësit. Dhe fatmirësisht nuk kam pasur raste akoma që kanë filluar me mësime dhe janë shkëputur nga kursi”, shprehet Salihu.

Ajo thotë se krejt suksesi i saj ka funksionuar në bazë të një logjike të mosdorëzimit.

Image

“Sekreti i suksesit është motivi, mendimet që unë mundem të kem sukses duke punuar nuk më ka reshtur asnjëherë, kam punuar nga vullneti i mirë që të shfrytëzoj çdo gjë që kam në dorë. Si popull i vuajtur që jemi shumë gjëra të panevojshme na mbajnë pezull, unë kam vendosur që punën, aftësitë e mia t’i udhëheq pa i lënë në heshtje”, shprehet ajo.

Erna ka arritur suksesin kur nxënëset e saja në garat e vallëzimit që janë zhvilluar kanë arritur të përfaqësojnë punën e saj dhe të vlerësohen, ku njëra prej vajzave ka marrë vendin e parë dhe grupi tjetër i vajzave është vlerësuar për të vazhduar me gara në nivel më të lartë.

Erna të gjitha meritat ua dërgon prindërve të saj, përkrahësve të parë dhe të vazhdueshëm, që sipas saj me mish e me shpirt kanë luftuar që të promovojnë aftësitë e vajzës.

Studioja është e hapur në Fushë Kosovë, kurse Salihu pret edhe ofertat e bashkëpunimit me shkolla të ndryshme, që shërbejnë në avancimin e nivelit artistik.

Image