Promovohet “Sfinksi pyet sërish” i Ismail Sylës

Promovohet “Sfinksi pyet sërish” i Ismail Sylës

Kultura May 14, 2019 - 10:07
Lexo më shumë detaje

 

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ditën e hënë është përuruar libri me poezi “Sfinksi pyet sërish”, i autorit Ismail Syla. Libri u vlerësua se bart dëshminë e kohërave dhe të unit poetik që shkojnë kah kondensimi modern. “Sa herë që e lexoj poezinë e Ismail Sylës më rikthehet në mendje thënia e Hejdeggerit, të cilën ai e merr nga Holderin, e që thotë ‘njeriu banon poetikisht mbi tokë’. E Ismail Syla është poeti që poetikisht banon në atdheun e tij, në heimatin e tij, thënë më mirë. Poezia e Sylës na dëshmon se ta jetosh poetikisht atdheun nuk do të thotë ta idealizosh ose ta glorikifikosh atë, por para së gjithash dhe mbi të gjitha t’i gjurmosh finesat estetike dhe momentet sublime, që fshihen në thellësinë e shpirtit të tij”, vlerëson Blerim Latifi.

Ai po ashtu thotë se poezia e mirë ka qenë gjithmonë në luftë me banalitetin dhe këtë fakt sipas tij e gjejmë në çdo varg që Ismail Syla e hedh në letër.

Para të pranishmëve fjalën e mori studiuesi i librit Behar Gjoka, i cili vlerësoi se ky libër i lënë të kuptojnë se çfarë po ndodh me shpirtin, me kohën duke u bazuar në atë se çka duam dhe çka nuk duam ne. “Libri na bën me dije çfarë po ndodh me shpirtin, me kohën si asaj çka duam e s’duam ne. Të gjithë po tentojmë të bëhemi shkrimtarë e po humbim lexues. Simbolika ‘finksi’ – ‘sfinksi’ është diçka tjetër dhe pyesim nëse jemi gati të sakrifikojmë. Kemi poetikë klasike dhe moderne”, theksoi Gjoka.

Ai tha se sërish libri me poezi i Ismail Sylës tashmë shtegton në hapësira të reja ligjërimi, gjithnjë duke ngjeshur kuptimin dhe duke përsosur formën poetike. Sipas tij, fjala bart dëshminë e kohërave dhe të unit poetik e derdhur në vargje, klasike në strukturë, por që shkojnë kah kondensimi modern e shpeshherë duke përvijuar shenjat e antonimisë, që shënjon thelbin e zbulesës së universit.

Profesori Hajdin Abazi në përurim të librit ka thënë se autori i librit, Ismail Syla, më së shumti ka shkëlqyer në veprën me poezi duke thënë se kjo ka qenë edhe ngjitja e tij në poetikë. “Autori Syla ka shfaqur te poezia begati idesh, konceptesh, motivesh e gjetjesh dhe mbresa poetike. Poezia është shpirti i Ismail Sylës”, ka përfunduar Abazi.

“Ismail Syla edhe më herët ka shënuar kthesë në krijimtarinë e tij të veçantë, në të cilën shënon ngjitje në qiellin poetik, përbërja e tij është shquar për kapje të nuancave. Pa fije dyshime është poezia ajo që shkëlqen te Syla”, vlerësoi Abazi.

Botuesi i librit Abdullah Zeneli theksoi se libri ka qenë i zbërthyer mirë. “Botuesit nuk i takon të flasë. Librin e zbërthyen shumë mirë parafolësit dhe e kanë mirë të gjithë. Vetë fakti se autori më ka besuar botimin më detyron të flas diçka”, tha Zeneli.

Duke falënderuar të pranishmit autori i librit Ismail Syla lexoi dy epe nga libri i ri i botuar me poezi.