E ardhmja e traditës në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve

E ardhmja e traditës në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve

Kultura May 18, 2019 - 14:13
Image

Të premten në Kosovë u shënua Dita Ndërkombëtare e Muzeve, e cila siç u vlerësua reprezanton një moment unik për komunitetin ndërkombëtar muzeor. Në këtë ditë muzetë pjesëmarrëse planifikojnë ngjarje kreative që lidhen me temën e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, angazhojnë publikun dhe nxjerrin në pah rëndësinë e rolit të muzeve si institucione që i shërbejnë shoqërisë dhe zhvillimit të saj. Tema e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve ishte “Museums as Cultural Hubs: The Future of Tradition” – “Muzetë si qendra kulturore: E ardhmja e traditës”.

Muzeu Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me profesorë dhe studentë të Degës së Antropologjisë dhe Etnologjisë në Universitetin e Prishtinës për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve ka zhvilluar punëtori, të cilat kanë për qëllim angazhimin dhe edukimin e fëmijëve (grupmosha të ndryshme) dhe të rinjve për artin tradicional të shprehur në zeje të ndryshme tradicionale përmes metodave interaktive.

Këto punëtori sollën artizanë të ndryshëm në Muze, të cilët do t’i mësojnë fëmijët rreth zejes së tyre e në të njëjtën kohë fëmijëve u është dhënë mundësia të provojnë këto zeje me materiale të ripërdorshme.

Hapjen e aktiviteteve me fëmijë e bëri koordinatorja Alisa Gojani-Berisha, e cila duke folur me ta u shpjegoi në mënyrën më të thjeshtë se çka është Dita e Muzeve, duke e lidhur me ditëlindjen dhe kënduan të gjithë së bashku këngën e ditëlindjes.

Alisa Gojani Berisha, koordinatore, tha se gjithmonë është kënaqësi të shohësh që po ndryshohet mënyra e prezantimit të muzeut edhe nëpërmjet formave të reja interaktive po mundohet muzeu për gjeneratat e reja. “Po përshtatemi në temën e këtij viti, që është ‘Muzetë si qendra kulturore, e ardhmja e traditës’, kemi artizanë të ndryshëm, të cilët sot po përcjellin zanatet e tyre te gjeneratat e ndryshme”, theksoi ajo.

 E pyetur sa është e vështirë që të punohet me fëmijë në këtë aspekt dhe sa janë të shkathtë në nxënien e asaj që u transmetohet nga artizanalet, ajo thotë se kur e bën një punë me dashuri nuk është asgjë e pamundur dhe se kjo është mënyra më e mirë e prezantimit të një artizanati tek fëmijët. “Nëse fëmijët vijnë dhe shohin vetëm një ekspozitë dhe nuk kanë asnjë interaksion, ata nuk kuptojnë asgjë dhe mënyra e vetme që po mendojmë se do të rezultojë me sukses është kjo që po e zhvillojmë sot nëpërmjet punëve praktike. Ata e përjetojnë direkt mënyrën e punës, ata e mbajnë drejtpërdrejt kontaktin me atë zanat. E mbajnë në kujtesë si diskutim për gjithë jetën. Praktikë prej herëve të kaluara që ka rezultuar në sukses”, vlerëson Berisha.

Mësuesja Lirika Bërdynaj-Syla, që punon në shkollën “Mileniumi i Tretë”, falënderoi Muzeun Kombëtar që ia ka bërë ftesën për t’u inkuadruar së bashku më fëmijët në këtë ditë të rëndësishme për trashëgiminë kulturore. “Është kënaqësi që të shohim aktivitete të ndryshme, fëmijët po kënaqen shumë, sepse ka aktivitete interesante. Më saktësisht një prind i nxënëses sonë Brikena Mulliqi ka iniciuar më shumë ardhjen tonë këtu, në bashkëpunim me të kemi sjellë rreth 60 fëmijë të klasave të para të shkollimit fillor dhe një grup parashkollor me rreth 20 fëmijë. Detyra e tyre do të jetë që të pikturojnë, puzzle, punë me plastelina si fillim dhe aktivitete të ndryshme për të cilat janë përkujdesur organizatorët”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

Siç ishte edhe e paraparë që fëmijëve t’u prezantoheshin edhe zanatet e vjetra në hapësirat e muzeut, Luljeta Salihu, pjesë e organizatës së grave “Dera e Hapur”, prezantoi punëdoren.

Për “Zërin” Salihu ka njoftuar se këtë zanat ajo e zhvillon për 19 vjet në këtë organizatë. “Kjo organizatë e ka për qëllim promovimin e punës së dorës, unë merrem me punëdore dhe jam disenjatore në këtë organizatë. Puna e dorës në përgjithësi në Kosovë është punuar gjithmonë qysh në kohërat e nënave tona, të cilat fëmijët i kanë rritur me punë dore”, kujtoi Salihu. Ajo më tutje tha se ky artizanat është i vështirë të punohet, por kjo e gjitha varet nga puna të cilën zgjedh që ta punosh. “Merr kohë, kërkon durim, duhet të dish çka punon e jo veç sa për ta përfunduar, sidomos në kohën e sotme kur ka rënë interesimi për këtë punë. Duhet që gjithçka t’i përshtatet kohës, nëse dëshiron veç që të arrish diçka”, tha ajo.

Kurse sa i përket interesimit të gjeneratave të reja për këto punë, Salihu thotë se kurrkund më pak se te ne nuk ka parë interesim. “Kam qenë në Paris me punë dore në një trajnim, prej gjithë Kosovës kemi qenë 20 veta. Kemi vizituar vendet ku punohet punëdorja dhe dallon shumë si për kah rëndësia, si nga mjetet, por e gjithë moda sillet rreth punës së dorës”, përfundon fjalën Salihu.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve ka nisur me aktivitete të shumta për fëmijë në orën dhjetë të mëngjesit dhe përfundoi në orën tetë të mbrëmjes, kur gjithë punimet e realizuara nga pjesëmarrësit do të prezantohen në hapësirat e Muzeut, me muzikë popullore jazz, e cila sipas organizatorëve bën ndërlidhjen e artit dëgjimor popullor shqiptar me atë të huaj, duke i dhënë rëndësi kulturës.