Libri i javës - “Tuneli” nga Ernesto Sabato

Libri i javës - “Tuneli” nga Ernesto Sabato

Kultura May 20, 2019 - 11:56
Lexo më shumë detaje

 

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Tuneli” nga Ernesto Sabato. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema”, ndërsa përkthimin e ka bërë Fatbardha Statovci.

Mund të themi lirisht se vepra “Tuneli” e shkrimtarit argjentinas Ernesto Sabato është një nga ato vepra ku vërehet qartë ndikimi i shkrimtarëve kolosë, siç ishin Dostojevski dhe Kafka. Romani “Tuneli” rrëfen marrëdhënien komplekse mes artistit Huan Pablo Kasteli dhe Maria Iribarne Hunter, të cilën ai e takon për herë të parë kur ajo ishte duke shikuar një nga pikturat e tij në një galeri. Artisti krijon përshtypjen se kjo grua e panjohur mund të shohë në shpirtin e tij dhe se ajo është disi e aftë të kuptojë emocionin pas krijimit të tij artistik. Huan Pablo Kasteli fiksohet menjëherë pas kësaj të panjohure dhe bën gjithçka në fuqinë e tij për t'u bërë dashnor i Marias.

Megjithatë për një person të mësuar me vetmin, i cili vazhdimisht sheh gabime në njerëzit që takon ose i vëzhgon duke ecur përgjatë rrugëve të qytetit dhe që mosbesimin e ka pjesë të natyrës së vet njerëzore, është e dukshme se marrëdhënien e tij me Marian do të karakterizohet nga xhelozia dhe mosbesimi. Fatkeqësisht Huan Pablo Kasteli është larg nga të qenit një dashnor ose shok ideal. Siç pritet, errësira së shpejti merr kontrollin dhe duke kapur fort dyshimin e gabuar që Maria e mashtron atë me burra të tjerë, ai i drejtuar nga një zemërim i çmendur niset te shtëpia e Marias ku ajo qëndron me kushëririn e saj dhe kryen një veprim që e çon prapa grilave. I botuar fillimisht në revistën letrare “Sur” në vitin 1948, “Tuneli” ndan një numër të caktuar karakteristikash të përbashkëta me “Të huajin” e Albert Camus. Të dy librat kanë si narrator në vetën e parë protagonistin, i cili përfundon i burgosur pas dënimit për vrasje dhe nga qelitë e burgut ata i shqyrtojnë incidentet dhe rastësitë që kanë çuar në burgosjen e tyre.

Camus dikur vuri në dukje se zgjedhja më e madhe me të cilën përballet njeriu në një botë absurde është nëse do të bëjë vetëvrasje apo jo. Karakteri i Sabatos përballet me zgjedhje të ngjashme ekzistenciale. Nuk ka asnjë shenjë pendimi te Kasteli, ndërsa ai pasqyron veprimet e tij në burg. Ai e shikon diellin duke u ngritur në një ditë të re dhe mendon se ata burra dhe gra që zgjohen në Buenos Aires, duke ngrënë mëngjeset e tyre mund të mos jenë aq të lirë sa mendojnë që janë. “Tuneli” i Sabatos nuk është një prej atyre që në fund nxjerr një dritë. Përkundrazi, romani shkon më thellë në skutat e errëta të shpirtit të Kastelit. Ndoshta pikërisht për këtë fakt është bindës kur e lexoni.

Romanin mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku” dhe ka çmimin 5 euro.