Publikohet doracaku për antropologët dhe arkeologët e ardhshëm

Publikohet doracaku për antropologët dhe arkeologët e ardhshëm

Kultura June 24, 2019 - 09:56
Lexo më shumë detaje
Image

Universiteti i Prishtinës ka një departament me studime të përbashkëta në arkeologji dhe në antropologji. Departamenti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” së fundi ka përpiluar Doracakun për studentë.

Arben Hajdari, udhëheqës i Departamentit të Antropologjisë, në fjalën hyrëse ka thënë se ky doracak do të jetë udhërrëfyes që do t’ua lehtësojë integrimin në universitet studentëve të antropologjisë dhe të arkeologjisë.

“Sot një edukim i mirë e një studim i arrirë është premisë e rëndësishme për të qenë të suksesshëm në jetën profesionale. Prandaj fillimi i studimeve akademike shënon momentin më emocionues dhe më të rëndësishëm në rrugëtimin tuaj të gjatë drejt synimeve në avancimin tuaj profesional dhe akademik. Departamenti i Antropologjisë ofron studime themelore në fushën e antropologjisë kulturore e arkeologjisë, ku ju do të kaloni nëpër një program studimor që freskohet nga dialogu i vazhdueshëm teorik dhe praktik. Ju do të njiheni me literaturën klasike dhe bashkëkohore në fushën e dijes antropologjike, duke e kombinuar njohjen e traditës akademike me shkathtësitë e përfituara nga përvojat në terren, përmes punëve praktike dhe gjithëpërfshirëse, me synimin e përgatitjes suaj sa më të mirë për studime të mëtutjeshme dhe për treg të punës”, ka shkruar Hajdari.

Më tutje ai ka thënë se kuadri i profesorëve dhe i asistentëve do të jenë në nivel të përgjegjësive dhe gjithnjë pranë jush për t’ju ndihmuar për t’i kapërcyer vështirësitë dhe sfidat me të cilat mund të ballafaqoheni gjatë studimeve.

“Secili prej nesh ka një rol domethënës në planifikim, realizim e në mbarëvajtje të programit tuaj të zgjedhur studimor. Prandaj Departamenti i Antropologjisë mbetet i përkushtuar në angazhimin e përbashkët në krijimin e një mjedisi të sigurt, të rregullt në procesin e mësimnxënies për secilin student përmes stafit, pajisjeve, teknologjisë, trajnimeve proaktive dhe gjithëpërfshirëse. Përmes këtij Doracaku mëtohet t’u jepet përgjigje pyetjeve dhe dilemave të shumta që mund t’i keni në ditët e para në ambientet e Fakultetit Filozofik”, vlerëson Hajdari.

I ndarë në tri shtojca, në përmbajtje të Doracakut studentët mund të mësojnë se çka është antropologjia, çka studion antropologjia kulturore e çka studion arkeologjia, pastaj vazhdon kapitulli i cili flet rreth historisë së Departamentit, duke vazhduar me vizionin, misionin dhe qëllimet që ka ky departament.

Duke u thelluar në përmbajtje mësohen edhe profilet e studimit në Departamentin e Antropologjisë, se çfarë pritet nga studimet në programin BA në Antropologji, si është i strukturuar programi BA, pastaj për të vazhduar më tutje se si qëndron raporti mes teorisë dhe praktikës.

I hapur në detaje për studentë dhe me argumentime të materialeve e fotografive mësohen edhe cilat janë format e mësimdhënies dhe të mësimnxënies, cilat janë obligimet e studentëve në procesin e mësimdhënies, a ka secila lëndë silabus ose planprogram, a ka literaturë të mjaftueshme për mësimnxënie dhe a ka bibliotekë Departamenti i Antropologjisë.

Përmes këtij doracaku mësohen edhe këshillat për lëndët obligative dhe zgjedhore, pastaj për të vazhduar me format e komunikimit mes stafit akademik dhe studentëve. Doracaku për studentë ka bërë një plan afatgjatë, ku studentëve u mëson edhe si organizohet viti akademik dhe kur janë afatet e provimit, si vlerësohen dhe notohen studentët e cila është procedura e diplomimit.

Hapësirë tjetër të rëndësishme u është dhënë edhe ankesave të studentëve, si mund të ankohen dhe ku, si fitohet kushti për studim në vitin vijues, sa angazhohen studentët në punë praktike, a ka programe shkëmbimi për studentët, çfarë projektesh hulumtuese, trajnuese dhe praktike ekzistojnë brenda Departamentit, çfarë përkrahjeje tjetër profesionale ekziston për studentët, si përfaqësohen studentët në nivel universiteti, sa kanë të gjithë studentët mundësi të barabarta, si monitorohen dhe vlerësohen mësimdhënësit etj.

Të gjitha këto materiale udhëzimi e informimi gjenden të shkruara në “Shtojcën A”, duke i dhënë fokus edhe planit afatgjatë se si do të qëndrojë bashkëpunimi mes studentëve të diplomuar dhe Departamentit, pastaj në një pjesë mund të lexohen edhe mendimet e disa studentëve për Departamentin e Antropologjisë se çka kanë mësuar ata përgjatë studimeve, këshillat, sugjerimet e tyre, në njëfarë forme kjo shtojcë vlerësohet se shërben si një udhërrëfyes për shkrimin antropologjik. Kurse “Shtojca B” përmban udhëzime etike për hulumtimin në terren, lejet për intervistë, fotografim dhe incizim dhe “Shtojca C”, model i formës së marrjes leje për intervistë, fotografim dhe xhirim.

Departamenti i Antropologjisë ekziston që nga viti 2002 dhe është akredituar katër herë. Ky departament funksionon në kuadër të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në vitin 2002 është themeluar fillimisht me emërtimin Departamenti i Etnologjisë. Nisma për themelimin e tij është marrë nga etnologët e angazhuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, përkatësisht nga prof. dr. Drita Halimi-Statovci. Po ashtu kontribut të veçantë në zhvillimin dhe në mbarëvajtjen e këtij departamenti ka dhënë prof. dr. Ukë Xhemaj. Prej themelimit më 2002-n e deri më tani Departamenti i Antropologjisë ka realizuar mbi 80 vizita në terren, 20 projekte të përbashkëta hulumtuese, mbi 50 ligjërata të profesorëve vizitorë, mbi 20 ekspozita të Departamentit e një numër të madh aktivitetesh hulumtuese në fushën e antropologjisë. Më 2013-n pranë Departamentit është themeluar edhe Arkivi i Fotografisë dhe Videos, ndërsa më 2017-n edhe Programi i Etnografisë Vizuele. Më 2018-n Departamenti i Antropologjisë ka themeluar edhe Seminarin e Antropologjisë, një program me ligjërata të profesorëve vizitorë (9 muaj në vit) nga studiues të jashtëm dhe të Departamentit.