Dembelia e neglizhenca ndaj kulturës e lë kryeqytetin pa sallë koncertesh

Dembelia e neglizhenca ndaj kulturës e lë kryeqytetin pa sallë koncertesh

Kultura July 17, 2019 - 09:41
Image

Komuniteti artistik i Kosovës duket se do ta vuajë edhe më gjatë mungesën e një salle koncertale. Edhe pse pjesëtarë të këtij komuniteti po deklarojnë se durimi për pritjen e ndërtimit të sallës koncertale po shuhet dhe me zhurmë po paralajmërojnë ndërprerjen e aktiviteteve kulturore, institucionet në anën tjetër po heshtin. Të martën gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë me Komunën e Prishtinës për të pyetur se a ka ky institucion një “Plan B” kur bëhet fjalë për sallën koncertale, pas humbjes së fondit nga IPA-ja. “Zëri” ka provuar të flasë edhe me përfaqësues të MKRS-së për të parë se a do të bëjë ky institucion diçka në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Mirëpo institucionet e lartpërmendura nuk janë deklaruar për këtë çështje, shkruan sot gazeta "Zëri".

Rugova: Humbja e këtij fondi ka mundur të parandalohet

Ndonëse është premtuar qysh në vitin 2009, procesi për ndërtimin e sallës koncertale ka marrë hov vitin e kaluar, në kohën kur Yll Rugova udhëhoqi me Drejtorinë për Kulturë në Komunë të Prishtinës. Atëherë kjo Drejtori pati aplikuar për t’i siguruar 15.4 milionë euro nga Komisioni Evropian. Aplikimi u bë me arsyetimin për të përmirësuar infrastrukturën shumë të mangët kulturore të kryeqytetit dhe se Prishtina është i vetmi kryeqytet në Evropë pa sallë të operës dhe pa sallë koncertale.

I pyetur se si e sheh vendimin e BE-së për ridestinimin e parave që janë paraparë për sallën e koncerteve, Rugova për “Zërin” ka theksuar se është tepër e dhimbshme që i gjithë ky interesim dhe entuziazëm i tyre dhe i komunitetit tash po shkon huq për shkak të dembelisë, që sipas tij po mbizotëron. “Kjo dembeli po e cungon zhvillimin e kryeqytetit jo vetëm në fushën e kulturës, po në të gjitha sferat e saj, sepse përveç rolit kulturor, salla koncertale do të ndikonte pozitivisht edhe në përmirësimin e infrastrukturës urbane në kryeqytet”, vlerëson Rugova.

I pyetur për fajtorët e këtij dështimi, ish-drejtori i Kulturës tha se vazhdimisht ka hezituar që të drejtojë gishtin te fajtorët për humbjen e fondit të IPA-së për sallën koncertale. E sipas tij veçanërisht kur humbja e këtij fondi ende ka qenë e mundur të parandalohet.  “Unë deri para disa muajsh kam qenë bashkë në ekip me personat përgjegjës në Komunën e Prishtinës dhe nuk është e hijshme që tash të flas keq për ta. Por vërtet është e pajustifikueshme humbja e këtij fondi për investime në kulturë. Është e pajustifikueshme që tash edhe për disa vjet Prishtina do të mbetet pa sallë koncertale”, u shpreh ai.

Rugova theks të veçantë i vë edhe faktit se në Kosovë në këto 20 vjetët e fundit nuk ka ndodhur që të investohen 15 milionë euro në një projekt kulturor. Sipas tij, Prishtina si kryeqytet duhet të ketë sallë koncertale, sepse hapësira për Filarmoninë e Kosovës është e rëndësishme edhe si simbol i shtetësisë e gjithsesi është shumë me rëndësi për jetën kulturore të qytetit dhe të qytetarëve. “Prishtina ka hapësira ku ka mundur ta ndërtojë këtë sallë. Sa kam qenë aty janë identifikuar të paktën 5 të tilla, prej të cilave të paktën 2 s'kanë pasur fare probleme pronësore ose të çfarëdo lloji tjetër”, thekson Rugova, duke përmendur se dhe për BE-në ka qenë thelbësore që prona të mos ketë probleme. “Fajet për këtë dështim ia lë së pari dembelisë, pastaj kokëfortësisë e në fund edhe trajtimit të kulturës si çështje krejt periferike në prioritetet e institucioneve. Më dhimbset shumë kur e di sa shumë punë është bërë që të sigurohet ky fond dhe kur e di sa shumë ka pasur entuziazëm te komuniteti kulturor për realizim të këtij projekti. Është vërtet shumë lajm i keq për Prishtinën ky prolongim i procesit”, konsideron ai.

Sipas Rugovës, gjithsesi do të kemi një sallë të koncerteve e po ashtu edhe një sallë për opera dhe balet, por do të kishte qenë shumë me rëndësi nëse ky proces do të fillonte tash dhe jo pas shumë vitesh, qysh po duket se do të shtyhet.

 

Luzha: Komuniteti Muzikor i unifikuar, politika punoi krye në vete

Besa Luzha, anëtare e Komunitetit Artistik e Muzikor, ka bërë të ditur se qëndrimi i Komunitetit Muzikor është i unifikueshëm dhe u qëndrojnë prapa qëndrimeve që kanë dhënë se deri në shtator do t’u japin kohë institucioneve. Kurse pas shtatorit thotë se i takon komunitetit muzikor të marrë sërish një vendim. “Ne po dëshmojmë që i gjithë komuniteti jemi duke punuar së bashku në vazhdimësi për përpilimin e planeve që do t’i ndërmarrim që nga muaji shtator, deri atëherë u kemi dhënë afat organeve institucionale që të ndërmarrin veprimet e duhura. Të gjitha institucionet janë shumë serioze në vendimet që do të marrin. U kemi dhënë shanse institucioneve”, potencoi Luzha.

Luzha ka treguar se këto ditë ka zhvilluar një takim me kryeministrin dhe se Kryeministria sipas saj është shprehur e shqetësuar për verdiktin e fundit që është dhënë për ridestinimin e parave që kanë qenë të parapara për sallën koncertale dhe se ditëve në vijim do të takohet po ashtu me këshilltarët e Kryeministrisë. “Klasa politike nuk e ka qitur sallën në prioritet. Politika gjithmonë ka përgjigjen e njëjtë: ‘Ju e meritoni, po ne nuk kemi para’. E vetmja detyrë e politikës në rastin tonë ka qenë të caktojnë lokacionin dhe ata të gjithë kanë punuar në krye në vete”, vlerëson Luzha, e cila më tutje thotë se është e nevojshme ta ripërsërisë se Komuniteti Muzikor është i unifikuar, është serioz ndaj vendimeve që do të merren dhe deri në shtator japin vendimin final.

Vazhdon pritja e Filarmonisë për një shtëpi të veten

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, e sheh si dështim këtë projekt. Ai thekson se ky projekt dështoi ashtu siç ka dështuar edhe në vitin 2013, kur synohej një donacion mbi 10 milionë euro. Ai thekson faktin se është obligim i MKRS-së që t’ia ndërtojë Filarmonisë së Kosovës një shtëpi të veten, siç shprehet ai. Mirëpo nga perspektiva e tij dhe eksperienca prejse drejton Filarmoninë është shumë pesimist dhe nuk sheh asnjë element që i jep shpresë për ndërtimin e një shtëpie të Filarmonisë. “Unë besoj në një nomenklaturë politike, e cila ndoshta do të vijë në të ardhmen dhe do ta vendosë kulturën në prioritet. Kjo nënkupton ndërtimin e një objekti, një qendre kulturore, që të quhet si të dojë, por thjesht i mungon Prishtinës një vend ku do të zhvilloheshin aktivitetet kulturore. E ne çka është kryesorja nuk kemi kushte as edhe elementare për ta zhvilluar veprimtarinë tonë”, tha ai.

Jashari thotë se nuk ka çelës për të vazhduar zgjidhjen e problemit për sallën koncertale qe 10 vjet. I pyetur se a i bashkohet mendimit për ndërprerjen e aktiviteteve muzikore që dha ditë më parë Komuniteti Muzikor, Jashari thotë se edhe po t’i ndërpresin aktivitetet nuk sjellin zgjidhje. “As nuk është presion që mundet të ndikojë në ndryshimin e qëndrimeve të tyre, çdo gjë po politizohet te ne. Duhet vazhduar të punohet në organizimin e komunitetit artistik, që unë mendoj se duhet të jenë shumë më proaktivë. Jam shumë i zhgënjyer edhe prej Komunitetit Muzikor që nuk ka bërë presion të vazhdueshëm dhe ofrim të vendimeve të caktuara nga ky komunitet. Unë mendoj që duhet të arrihet një konsensus në të mirë të këtij vendi, nuk kërkohet kosto luksi, por kosto për mbijetesë të kulturës”, përfundon kështu Jashari.

Rikujtojmë se Komuna e Prishtinës pati propozuar lokacionin ku gjendet ish-shtëpia e mallrave “Gërmia” në qendër të qytetit për ndërtimin e kësaj salle. Mirëpo kjo ide ishte kundërshtuar nga pjesëtarë të shoqërisë civile e qytetarë, që ngritën zërin për mbrojtjen e këtij objekti. Si ide ishte përmendur edhe lokacioni afër Katedrales së qytetit dhe Radio Televizionit të Kosovës, meqë BE-ja kusht të vetëm e kishte një lokacion në qendër të qytetit dhe pa probleme pronësore. Zëri