Teatrot e Kosovës bashkojnë forcat për “Kosovo Theater Showcase 2019”

Teatrot e Kosovës bashkojnë forcat për “Kosovo Theater Showcase 2019”

Kultura August 15, 2019 - 09:03

 

Teatri Kombëtar i Kosovës, teatri “Adriana” nga Ferizaj, Teatri i Gjilanit dhe qendra “Multimedia” nga Prishtina kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, me të cilin zotohen të angazhohen bashkërisht në organizimin e edicionit të sivjetshëm të “Kosovo Theater Showcase 2019”, që do të mbahet nga data 31 tetor deri më 4 nëntor 2019.

Në këtë edicion pritet të prezantohen së paku 6 shfaqje të prodhuara nga teatrot nënshkruese të këtij memorandumi. Edicioni i sivjetshëm i “Showcase 2019” pritet t’i sjellë në Kosovë rreth 50 kritikë teatri, gazetarë, përzgjedhës festivalesh e admirues të teatrit nga vende të ndryshme të botës.

Përveç Prishtinës, “Showcase” do të zhvillohet edhe në qytete të tjera të Kosovës. Në këtë mënyrë mysafirët ndërkombëtarë do të kenë mundësi të rrallë për të parë jo vetëm tendencat më të fundit të skenës së teatrit të Kosovës, por edhe të shijojnë mikpritjen e madhe dhe peizazhin e bukur të Kosovës. Ky edicion gjithashtu do të sjellë disa programe plotësuese; diskutime, panele dhe mbrëmje muzikore.

Memorandumin e kanë nënshkruar: drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës Agim Sopi, drejtori i teatrit “Adriana” Fatmir Hyseni, drejtori i Teatrit të Gjilanit Erson Zymberi dhe drejtori i qendrës “Multimedia” Jeton Neziraj.

“Kosovo Theater Showcase 2019” është pjesë e platformës kulturore “Platforma Kulturore e Kosovës 2019 +”.