12 vjet pa Faruk Begollin, ikonën e kinematografisë kosovare

12 vjet pa Faruk Begollin, ikonën e kinematografisë kosovare

Kultura August 23, 2019 - 10:18
Image

Në këtë 23 gusht janë mbushur plot 12 vjet qëkur kinematografisë kosovare e Teatrit të Kosovës i është shuar një ndër figurat më të rëndësishme të saj - Faruk Begolli. Edhe pas vdekjes miqtë, kolegët, studentët e profesionistët e Teatrit Begollin e konsiderojnë si njërin ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë nga Kosova në Jugosllavi, shkruan sot gazeta "Zëri". Në përvjetorin e dymbëdhjetë të vdekjes së tij Qendra Kinematografike e Kosovës dhe “Kosovafilmi” në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës të Komunës së Prishtinës kanë organizuar “Ditëve të Filmit në kujtim të Faruk Begollit”. Ky organizim është planifikuar për të kujtuar dhe për të nderuar veprën e aktorit të ndjerë. Datat 23, 24, 25 gusht do ta gjejnë kinemanë e “Cineplexx”-it me shfaqjen e filmave të përzgjedhur, në të cilët luan Faruk Begolli. Këtë të premte, në orën 20:00, në “Cineplexx”, në kuadër të “Ditëve të Filmit në kujtim të Faruk Begollit” shfaqet "Era dhe Lisi" (1979). Pastaj shfaqet edhe filmi “Kur pranvera vonohet” më 24 gusht, në orën 20:00, si dhe filmi “Proka” më 25 gusht, në orën 20:00 po ashtu.

Peripecitë që përcollën Begollin deri te aktrimi

Faruk Begolli ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, njëherësh bashkëthemelues i Degës së Aktrimit të Fakultetit të Arteve, të Universitetit të Prishtinës. Begolli bashkë me aktorin Enver Petrovci themeluan teatrin “Dodona” në Prishtinë, në vitet e ’90-ta. Ai po ashtu ka qenë edhe hendbollist profesionist i klubit të hendbollit “Buduçnost”, në rolin e mbrojtësit. Para se të bëhej aktor ai ka vijuar studimet në Beograd për Xehetari, por kjo nuk i shkoi dhe kështu e humbi vitin e u kthye në Pejë në vendlindjen e tij. Pastaj ka regjistruar Fakultetin Ekonomik, por as ky nuk ishte për të. Edhe pse me nota ishte mirë, nuk e kishte pasion. Ai ishte i pavendosur derisa u takua me kushëririn e tij Istref Begollin dhe ai e bindi ta regjistrojë artin në Beograd. Shpejt Begolli u bë aktori më i kërkuar në Ish-Jugosllavi. Faruk Begolli ka studiuar në Akademinë e Filmit dhe të Teatrit në Beograd, ku ka diplomuar në vitin 1966.  Begolli ishte i martuar me Zoja Gjokoviqin, një balerinë profesioniste, e cila edhe pas shkurorëzimit ka mbajtur mbiemrin Begolli. Ajo vdiq më 5 janar të vitit 2017.

Aktor i roleve të paharrueshme, profesor i aktorëve më të mirë që kemi sot

Aktori Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me “Pogled u Zenicu Sunca” (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordeviq në filmat e tij “Podne” (Mesditë), “Jutro” (Mëngjesi) dhe “San” (Ëndrra). Rrolet e tij të spikatura përfshijnë “Bitka na Neretvi”, “Cuvar Plaze u Zimskom Periodu “dhe “Dervis i Smrt” (Dervishi dhe vdekja), si dhe rolet në filmat e njohur kosovar të viteve të 70-ta dhe 80-ta siç janë “Kur pranvera vonohet” (1980), “Era dhe Lisi” (1979), “Të ngujuarit” (1972), “Si të vdiset?” (1972), “Proka” (1984) etj. Në vitin 1972, në festivalin e filmit në “Sopot”, ai mori çmimin “Junak Kosmaja” për rolin kryesor në filmin “Si të vdiset?” në Cele të Sllovenisë, në një festival regjional të mbajtur në vitin 1998. Faruk Begolli aty morri çmimin për “Aktorin më të Mirë të Festivalit” për rolin në filmin “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”.

Në vitin 1998 fondacioni “Salbatring” nga Lubjana e nderoi Faruk Begollin me shpërblimin e vitit për rolet e realizuara në kinematografi, si dhe për organizimin e jetës teatrore në Kosovë. Festivali studentor “Skena UP” në vitin 2004 ia ndau Begollit Çmimin Special. Shpërblimin ia dhuroi kryeministri i atëhershëm i Kosovës Bajram Rexhepi. Në Festivalin e 12-të të Filmit Shqiptar në Tiranë ai shpërblehet me çmimin “Aktori më i Mirë” (roli dytësor). Ky shpërblim i është dhënë për rolin e tij në filmin “Etjet e Kosovës”. Puna në Universitetin e Prishtinës i dha hapësirë Begollit që të kontribuonte edhe më shumë në skenën e aktrimit në vend. Duke punuar nga afër me studentë të rinj ai u bë mentor i shumë prej tyre që sot janë të suksesshëm në skenën tonë artistike. Këtu mund të përmendim: Armond Morinën, Ilir Prapashticën, Shkumbin Istrefin, Fatmir Saphiun, Edona Reshitajn, Adriana Matoshin etj.

Rikujtojmë se Faruk Begolli u lind në Pejë në vitin 1944 dhe ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare, në gushtin e viti 2007. Zëri