Në pritje të raportit dhe planit të ri për Kalanë e Novobërdës

Në pritje të raportit dhe planit të ri për Kalanë e Novobërdës

Kultura shtator 10, 2019 - 12:45
Image

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit insiston se deri në pranimin e një raporti të detajuar dhe një plani të ri për punimet në Kalanë e Novobërdës puna atje nuk do të vazhdojë. I pari i këtij dikasteri të Qeverisë së Kosovës, ministri në detyrë Kujtim Gashi, thotë për “Zërin” se një raport të tillë nga personat përgjegjës pret ta ketë në tavolinë deri në fund të javës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Që nga java e kaluar punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës janë ndërprerë. Kjo ndodhi pas raportimeve për përdorimin e mjeteve të rënda, saktësisht ekskavatorëve nga kompania serbe “Koto”, e cila është kontraktuar nga UNESCO-ja.

Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, tha për gazetën “Zëri” të hënën se punimet e ndërprera nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), nën mbikëqyrjen e të cilit po kryhet restaurimi, nuk do të nisin edhe disa ditë. Të paktën derisa atij t’i dorëzohet raporti i detajuar për punët e deritashme atje, si dhe për fazat në vijim. Ai i tha gazetës së kontakt me zyrtarët e UNESCO-s ditët e fundit nuk kanë pasur, porse pret që marrëveshja si marrëveshje të respektohet. “Ne nuk kemi nevojë për kontakte shtesë me UNESCO-n. Ne e kemi marrëveshjen, e cila presim të respektohet. Punime nuk ka njëherë përnjëherë. Ne jemi duke e pritur një raport të detajuar, pas raportit do të vendosim. Një raport të tillë e pres deri në fund të kësaj jave”, tha Gashi për “Zërin”.

Megjithatë George Papagiannis, zyrtar i UNESCO-s, ka deklaruar për medie se punimet e kompanisë serbe po zbatoheshin sipas kërkesës së UNESCO-s. “Punimet po implementoheshin sipas kërkesës sonë, sipas planit të aprovuar për intervenime dhe sipas autorizimit për punime, më datën 16 korrik 2019”, ka thënë ai. Nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë konfirmuan që UNESCO-ja ka siguruar që kompania serbe nuk do ta fillojë rehabilitimin e mureve të dëmtuara pa marrë autorizimin nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

 

Çeku: Ky projekt duhet të ndalet për të penguar veprime tjetra degraduese ndaj monumentit

Zhvillimet e fundit te Kalaja e Novobërdës i kanë parë me shqetësim njohësit e trashëgimisë kulturore. Hajrulla Çeku, ish-drejtor i organizatës “Ec ma ndryshe” në Kosovë, si dhe ish-zv/ministër i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, ka thënë se është e papranueshme ajo se çfarë po ndodh me projektin e restaurimit të Kullës së Novobërdës. “Jam thellësisht i prekur nga dëmi kolosal që iu shkaktua Kalasë së Novobërdës, një nga asetet më të vlefshme të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ky projekt i ndërhyrjes është i menaxhuar nga UNESCO-ja dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa punëkryesi i kontraktuar është një kompani nga Serbia. Ministria e Kulturës e Kosovës si rëndom ka lëshuar leje (aprovim) pa e analizuar mirë projektin dhe nuk është angazhuar në mbikëqyrje. Specialistët e trashëgimisë kulturore insistojnë se projekti ka qenë i gabuar nga fillimi, pasi që parasheh rikonstruim të një lokaliteti arkeologjik pa analiza adekuate”, ka shkruar Çeku.  Më tutje ai ka shtuar se cilësia e punëve të kryera nga kompania e Serbisë ka qenë tejet e dobët, duke e rrezikuar seriozisht monumentin. “Ne na duhet një strategji tjetër, totalisht e kundërt me praktikat e deritanishme për të shpëtuar atë pjesë të trashëgimisë që ka mbetur. Ky projekt duhet të ndalet urgjentisht për të penguar çfarëdo veprimi tjetër degradues ndaj monumentit. Së dyti, duhet angazhuar një ekip specialistësh ndërkombëtarë për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara. Kjo rrjedhimisht do t’i identifikonte përgjegjësit ndaj të cilëve duhet të nisin procedurat e parapara ligjore. Pas kësaj duhet të nisë riparimi i dëmit të shkaktuar dhe të hartohet projekti i ri i ndërhyrjes në këtë lokalitet”, ka theksuar Çeku ndër të tjera.

MKRS-ja ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kompanisë serbe

Rikujtojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nëpërmjet Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka paraqitur të premten që shkoi kallëzim kundër Srgjan Gjorgjeviqit me banim në Artanë (Novobërdë) dhe kundër kompanisë “Koto” nga Serbia, konkretisht Beogradi, e kontraktuar për realizimin e punimeve në projektin e revitalizimit të Kalasë së Novobërdës.

Përmes një njoftimi MKRS-ja ka bërë të ditur se kallëzimi penal ndaj të sipërpërmendurve është bërë sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë se të dyshuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, ku Srgjan Gjorgjeviq, duke vepruar në emër të kompanisë “Koto”, në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit për revitalizimin e Kalasë së Artanës (Novobërdës), ka kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, kurse kompania “Koto” mban përgjegjësi për veprën penale në cilësinë e personit juridik.

Më tutje në këtë njoftim thuhet se kallëzimi penal ndaj të dyshuarve është me arsyetimin se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pas marrjes së njoftimit lidhur me dëmtimet në Kalanë e Artanës, më datë 5 shtator 2019, ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas takimit me mbikëqyrësin e kompanisë “Koto” (tani të dyshuarin), që po kryen punimet për revitalizimin e Kalasë, ka konstatuar dëmet që u janë shkaktuar mureve të jashtme të Kalasë, si plasaritje të thella të tyre dhe eventualisht ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme. Ky veprim është paraparë si vepër penale sipas ligjit dhe me të drejtë MKRS-ja ka nisur procedurat para vënies para drejtësisë dëmtuesit e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Projekti i revitalizimit të Kalasë së Artanës financohet nga UNESCO-ja dhe kompania fituese ka qenë e obliguar që t’i kryejë punimet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve profesionalë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Më datën 2 shtator 2019, duke mos përfillur obligimet për të njoftuar organin mbikëqyrës, që është në kundërshtim edhe me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, e ka angazhuar një ekskavator dhe ka filluar që t’i rrënojë muret rrethuese të Kalasë. Me këto veprime, të cilat janë në kundërshtim edhe me standardet e ndërhyrjeve konservuese-restauruese në objekte të trashëgimisë kulturore, i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme këtij aseti të trashëgimisë sonë kulturore. “Pasi që në veprimet e të dyshuarit të përshkruar më lart qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale ‘Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës’, si MKRS i kemi propozuar prokurorit të Shtetit që ndaj të dyshuarit të ngrejë aktakuzë në gjykatën kompetente me propozim që të dënohet sipas ligjit”, përfundon kështu njoftimi i MKRS-së. Zëri