Mitrovica mirëpriti shfaqjen nga Tetova

Mitrovica mirëpriti shfaqjen nga Tetova

Kultura shtator 11, 2019 - 10:29

Në kuadër të festivalit tradicional të komedisë “Mitrovica in Fest”, të martën u dha një shfaqje nga Tetova. Bëhet fjalë për komedinë “Jashtë bie borë”, të autorit Vincenzo Salemme dhe në regji të Qendrim Rijanit. Me rolet e tyre në këtë shfaqje luajnë aktorët: Trimosh Ramadani, Petrit Neziri, Blerim Ismani dhe Muzafer Etemi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shfaqja “Jashtë bie borë” jep një segment nga jeta e tre vëllezërve që jetojnë në një shtëpi, pasi u ka vdekur e ëma, e cila ua ka lënë një pasuri të majme, por që e ka shkruar vetëm në emër të birit të sëmurë - Çiços. Çiço është një person me defekte të mëdha neurotike, me ndryshime të atypëratyshme emocionale. Është tepër e vështirë të jetohet me të dhe këtë e ka bërë vetëm vëllai i tij Stefano. Enzo, vëllai tjetër, kthehet nga udhëtimet e tij me qëllimin e vetëm, që të përfitojë nga pasuria të cilën e ka lënë mamaja. Si venë punët në jetën e tri personazheve tragjiko-komike? Do të vazhdojnë të jetojnë në një shtëpi, do të shkojë secili në punën e vet, do t’i japin fund jetës apo do të jetojnë të lumtur bashkë? Përgjigjen e jep autori i veprës në një mënyrë shumë fine. Sipas tij, kufiri ndërmjet normales dhe anormales është vetëm një armë për të pasur pushtet. Festivali “Mitrovica in Fest”  u mundësua nga: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, KEK-u, Ministria e Financave, Komuna e Mitrovicës, “Jehona.com” - Autopjesë (Autor spare Parts), “Viprint” (Printing House), “Broja Home”, “Museum Pub”, “Missini Sweets”, “Ma Belle”, “Art Gazi”, “Nina”, “KohaRestaurant” e “Bunjamini”. Zëri