'Skënderbeu – Ose dashuri dhe liri' sonte në TKK

'Skënderbeu – Ose dashuri dhe liri' sonte në TKK

Kultura September 17, 2019 - 10:32

Teatri Kombëtar i Kosovës do të shfaqë sot në mbrëmje duke filluar nga ora 20:00 reprizën e shfaqjes “Skënderbeu – Ose dashuri dhe liri” me tekst të Tomas Winkop dhe Fadil Hysaj, ne regji të Fadil Hysajt.

 Shfaqja rrëfen përpjekjet e një regjisor për i cili me një trupë aktorësh mundohet ta vë në skenë dramën te dramaturgut anglez Tomas Winkop, “Skënderbeu – Ose dashuri dhe liri” e shkruar tre shekuj më herët.

Koncepti inskenues që krijon ky regjisor në mendjen e tij nga drama e Winkopit e ballafaqon atë me vështirësi të mëdha gjatë inskenimit, me që ai me kohë e kupton se lënda që i ofrohet nga autori dhe ajo që me ngulm mundohet të nxjerrë nga aktorët janë të pamjaftueshme për ta sjellë të gjallë në skenë vizionin e tij për Skënderbeun. Kjo do ta sfidojë regjisorin i cili në pamundësi për gjetur aktorin e përmasave të Skënderbeut, kthehet tek përmasa mitike, dhe kështu shfaqja mbetet një fantazmagori mitike e historike të cilën e përmbysë realiteti që aktualisht e jetojmë si popull e që në shumë aspekte i ngjanë një shfaqjeje teatrore në proces.

Synimi i shfaqjes nuk është demitizimi i figurës së Skënderbeut, por përballja e aktualitetit shqiptarë me figurën e Skënderbeut. Shfaqja si e tillë përballë të kaluarën e rreth 550 vitesh, me të tashmen për të nxjerrë në pah se hapësira mes të tanishmes dhe të kaluarës është shumë më e madhe se këto vite.

Pikërisht rreth pyetjes se “A besojnë sot shqiptarët e kësaj kohe në dashuri dhe liri”, zhvillohet koncepti i trupës teatrale në relacion me regjisorin, e që shpërfaqet me konflikte e fërkime që e sfidojnë këtë tematikë. Sipas regjisorit Hysajt krejt kjo tregon se si shoqëri mbetemi larg kësaj lënde e tematike dhe ka mbetur shumë pak nga ajo që Gjergj Kastrioti- Skënderbeu qoftë si mit a personazh, ka arritur deri në këtë kohë ta mbajë gjallë substancën kombëtare.

Me rolet e tyre në këtë shfaqje paraqiten aktorët: Bujar Ahmeti, Dibran Tahiri, Bislim Muçaj, Armend Baloku, Ismet Azemi, Faris Berisha, Shpëtim Kastrati, Shpëtim Selmani, Donika Ahmeti, Sheqerie Buçaj, Teuta Krasniqi, Vjosa Tashollli , Edona Reshitaj, Afrim Muçaj, Adhurim Demi dhe Naim Berisha.