Të hënën në Prishtinë protestohet për ndarjen e çmimit Nobel për Handken

Të hënën në Prishtinë protestohet për ndarjen e çmimit Nobel për Handken

Kultura tetor 13, 2019 - 10:54
Detajet

Akademia Suedeze e Shkencave sivjet shpërbleu me çmimin Nobel për Letërsi, autorin austriak Peter Handke, një mbështetës i gjenocidit dhe luftërave në ish-Jugosllavi nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit.

Ndarja e Nobelit për Handke u cilësua vendim skandaloz nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, por edhe nga njohës të letërsisë botërore. Madje, në Prishtinë të hënën pritet të mbahet protestë para Ambasadës së Suedisë, duke kërkuar anulimin e Nobelit për Letërsi 2019.

Për profesorin Bardh Rugova, ndarja e Nobelit për Letërsi 2019 për shkrimtari austriak Peter Handke është zgjedhje e gabuar dhe shumë e dëmshme.

Sipas tij, e njëjta vë në pikëpyetje rolin e artit për njerëzimin.

“Ekziston edhe ana tjetër e problemit, që është ana njerëzore, humane e këtij shkrimtari, një mbështetës i gjenocidit dhe luftërave në ish-Jugosllavi, nuk besoj se do të mund të kualifikohej për të marrë çmim dhe për t’u bërë shembull për diçka”, thotë ai, shkruan sinjali, përcjell albinfo.ch.

Regjisori Ben Apolloni ka thënë se të hënën nga ora 11:00 do të organizohet protestë para ambasadës suedeze në Prishtinë, për të kërkuar anulimin e Nobelit për Letërsi 2019.

Anulimin e vendimit të Akademisë Suedeze e ka kërkuar edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, si “akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike”.