Atwood dhe Evaristo, fituese të çmimit 'Booker Prize'

Atwood dhe Evaristo, fituese të çmimit 'Booker Prize'

Kultura October 16, 2019 - 10:30

Për herë të parë pas 20 vjetësh çmimi prestigjioz i letërsisë britanike “Booker Prize” u nda midis dy fitueseve. Këtë vit me “Booker Prize” u shpërblye shkrimtarja kanadeze Margaret Atwood dhe ajo anglo-nigerianese Bernardine Evaristo, respektivisht për “Les Testaments” dhe për “Girl, Woman, Other”, si veprat më të mira të vitit në anglisht, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas medieve britanike, kjo ndodhi pasi kryetari i jurisë së çmimit “Booker Prize”, Peter Florence, doli pas një mbledhjeje, që zgjati më shumë se pesë orë, për të zbuluar se juria prej pesë anëtarësh nuk kishte qenë në gjendje të zgjidhte një fitues të vetëm nga lista e tyre e shkurtër me gjashtë shkrimtarë. Kësisoj, pa marrë parasysh insistimin e drejtoreshës së këtij çmimi letrar, Gaby Wood, që të kishte vetëm një fitues, juria vendosi të shpërblente të dyja shkrimtaret. Bashkë me çmimin të dyja këto shkrimtare e ndajnë sivjet në dy pjesë edhe shpërblimin financiar, që shkon me “Booker Prize” prej 50.000 funtesh.

Kryetari i jurisë, Florence, u shpreh se shpreson që të dyja autoret fituese ta pranojnë këtë si një shenjë respekti për të dy librat. "Këta janë libra të mëdhenj ambiciozë", tha Firence. "Një nga mësimet që kam marrë është se e gjithë finesa letrare, hijeshia e gjuhës e shkëlqimi i strukturës, të gjitha këto shërbejnë vetëm nëse autori ka diçka vërtet të vlefshme për të thënë. Të dy librat kanë diçka urgjente për të thënë dhe gjithashtu ndodh të jenë mrekullisht impulsivë dhe unë mendoj se mund të flasin për audiencën më letrare, si dhe për lexuesit që lexojnë vetëm një libër, ose në këtë rast dy libra në vit", theksoi ai.

E nderuar me këtë çmim edhe 19 vjet më parë, romancierja dhe poetesha Margaret Atwood këtë herë u shpërblye me çmim për romanin “The Testaments”, vazhdimi i shumëpritur i romanit “The Handmaid’s Tale”. Libri “The Handmaid’s Tale”, i publikuar në vitin 1985, u bë në vitin 2017 një seri televizive, që rriti edhe shitjet e romanit, botimi në anglisht i të cilit arriti në tetë milionë kopje në botë.

Shpesh e përmendur për çmimin “Nobel në Letërsi”, Margaret Atwood, 79 vjeçe, ka fituar tashmë çmimin “Booker Prize” në vitin 2000 për romanin historik “The Blind Assassin”.

Çmimi “Booker Prize 2019” iu dha gjithashtu edhe anglo-nigerianes Bernardine Evaristo për librin “Girl, Woman, Other”, kronikë e jetës së familjeve me ngjyrë në Britaninë e Madhe. “Jam gruaja e parë me ngjyrë që marr këtë çmim”, theksoi Bernardine Evaristo, 60 vjeçe, e cila u shpreh e lumtur që po ndan çmimin me një legjendë të tillë si Margaret Atwood.

Çmimi “Man Booker”, bashkë me çmimin “Man Booker për Fiksion”, shpërblejnë më të mirët e globit, që botohen në Mbretërinë e Bashkuar. Ky çmimi sponsorizohet nga “Man Group”, një firmë aktive për menaxhimin e investimeve, e cila gjithashtu sponsorizon çmimin “Man Booker për Fiksion”.

Përmes këtij çmimi puna e përkthyesve shpërblehet në mënyrë të barabartë, me vlerë monetare prej 50.000 funtesh, që ndahen midis autorit dhe përkthyesit. Përveç kësaj, çdo autor dhe përkthyes që është nominuar do të marrë nga 1.000 euro. Për këto nominime që juria ka zgjedhur sivjet janë shqyrtuar 108 libra. Më parë me këtë çmim të rëndësishëm të letërsisë është vlerësuar dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, ndërsa katër vjet më parë libri i tij “Kamarja e turpit” ishte sërish kandidat për këtë çmim nën përkthimin e John Hodgsonit.

Çmimi prestigjioz i letërsisë britanike “Booker Prize” është ndarë midis dy fituesve edhe dy herë më parë: në 1974-n, mes Nadine Gordimer dhe Stanley Middleton dhe në 1992-n, mes Michael Ondaatje dhe Barry Unsworth. Pas vitit 1992 rregullat u ndryshuan, për të insistuar që çmimi "nuk mund të ndahet ose të mbahet i fshehur". Zëri