Një intervenim artistik te restorant 'Marsi' si thirrje për ruajtjen e memories kolektive

Një intervenim artistik te restorant 'Marsi' si thirrje për ruajtjen e memories kolektive

Kultura tetor 17, 2019 - 10:20
Image

Pas shumë vitesh në ndërtesën e ish-restorant “Marsit”, në rrugën “Bedri Gjini”, në “Kodrën e Trimave”, në Prishtinë, hyri drita. Kjo u bë falë një intervenimi artistik të përgatitur specifikisht për këtë lokacion nga artistja Koja, në kuadër të projektitMetamorphosis - Flirting with Leftovers”, të “Fondacionit 17”. Hapësira e këtij objekti priti artdashës e vizitorë të martën e 15 tetorit, nga ora 18:30, shkruan sot gazeta "Zëri".

Nga “Fondacioni 17” thanë se pas ekspozitës e performancës vitin e kaluar, e cila zuri vend në objektin e ish-mensës së punëtorëve të kompanisë “Ramiz Sadiku”, edicionin e dytë të “Metamorphosis – Flirting with Leftovers” vendosën ta sjellin në një objekt të ndërtuar në fund të viteve ’70-a. “Kësaj radhe kemi përzgjedhur një tjetër objekt të braktisur, tek i cili zuri vend një intervenim artistik nën konceptin e artistes - Koja. Ky objekt, i cili ndryshe njihet edhe si ish-restorant ‘Marsi’ dhe gjendet në lagjen ‘Kodra e Trimave’, në Prishtinë, është ndërtuar në fund të viteve ’70-a si vetëshërbim i NSHT ‘Voçari’-t. Në vitin 1995 nga vetëshërbimi është shndërruar në restorant. Pas luftës së fundit në vend ka qenë klub nate, ndërsa prej vitit 2003 ka mbetur i braktisur”, theksuan ata.  

Intervenimi artistik erdhi pas një pune hulumtuese me të rinj e të reja që ishin pjesë e punëtorisë treditore, nën udhëheqjen e artistes Koja. Kjo ndërhyrje, ku bëhet një lojë e veçantë me dritën e me errësirën, vjen si thirrje për reflektim për ruajtjen e historisë dhe të memories kolektive.  “Metamorphosis” është projekt i cili zbatohet nga “Fondacioni Shtatëmbëdhjetë” dhe ka për qëllim nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri përmes mundësimit të vitalitetit kulturor dhe të kreativitetit. Një gjë e tillë mendohet të arrihet duke rikthyer në jetë objektet e braktisura, t’i rivitalizojë ato qoftë edhe për një ditë. Në këtë formë do të dokumentohet memoria kolektive për një të kaluar që pak flitet, po ashtu hapësirat publike të shfrytëzohen për të mirën e komunitetit. Ky projekt synon të përdorë artin dhe kulturën si mjetin kryesor për të ngritur zërin për rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirës publike.

 “Voçari”,  “Marsi” e “Miami Beach”, vetëm në kujtesën e banorëve

Artistja Koja bashkë me ekipin e saj, të përbërë nga Skender Xhukolli, Sami Podvorica dhe Endrit Jashanica, kanë hulumtuar historinë e objektit dhe kanë grumbulluar materialin, i cili dokumenton funksionin e tij përgjatë viteve. Dëshmi nga kohët kur ky objekt ishte funksional u prezantuan të martën para publikut.

Objekti i NSHT “Voçari” është ndërtuar në vitit 1975 - 1976 dhe ka shërbyer si vetëshërbim i madh deri në fillim të vitit 1992. Objekti thuhet të ketë luajtur rol të madh në zhvillimin dhe në emancipimin e lagjes e të komunitetit. Megjithatë, siç e dëshmojnë edhe fotografitë, ditët më të mira ky objekt i ka pasur në periudhën 1995 - 1998, kur u përdor si restorant. Restorant “Marsi” ishte një nga restorantet me ekskluzive në kryeqytet. Aty u mbajtën mbrëmje të ndryshme muzikore, matura, dasma e xhirime me artistët më me zë të estradës së asaj kohe. Si i tillë ky restorant funksionoi deri në vitin 1998, kur edhe ndodhën masakrat në Likoshan e në Qirez. Menjëherë pas luftës më 1999-n e deri më 2001-n vendi shërbeu si klub nate me emrin “Miami Beach”, por lokali u mbyll nga KFOR-i pas përleshjeve të pronarit  me klane të ndryshme të dalë nga lufta. Vendi qëndroi i hapur si lokal vetëm edhe 6 maj pas, deri në vitin 2002, i emëruar si “Delfin” për t’u mbyllur dhe për të kaluar në një status tejet të ndërlikuar dhe me kontest të hapur gjyqësor.  Ky projekt fton studentët, por jo vetëm, të shpalosin vizionin e tyre mbi këtë objekt, duke ofruar zgjidhje përmes alternativave të ndryshme të rifunksionalizimit të këtij objekti.

Në konceptin e saj të intervenimit artistik, artistja Koja shkruan se aktualisht jemi duke jetuar në epokën, në të cilën më shumë gëzon vëmendje fuqizimi i përfaqësimit sesa vetë ekzistenca ose prezenca si një entitet. Ajo thotë se ironikisht përjetimi i objekteve bëhet thjesht nga përfaqësimi, prezantimi i tyre. Tutje artistja shtron pyetjet se a mund një akt artistik ta provokojë ndjesinë e përjetimit të vet prezencës së objektit, duke e zhvendosur tregimin që objekti i caktuar përfaqëson? A mund të provokohet perceptimi i objektit në fjalë si eksperiencë? A është e rikthyeshme prezenca dhe a mund të rikonstruktohet ajo? A mund të legjitimohet zgjedhja arbitrare e qytetarit si përcaktues dhe vendimmarrës i nevojave të veta?

Sipas saj, këto çështje janë eksploruar përmes ndërhyrjes artistike në objektin e ish-restorant “Marsit”, i cili ndodhet në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë. Ky intervenim prezanton qasjen në problem si pikënisje, jo për ta ofruar ose për ta bërë zgjedhjen, por për ta spikatur atë akoma më shumë – për ta ndarë diskursin në disa nivele profesionale, që adresohen te grupet vendimmarrëse, rrjedhimisht përcaktuesit e fatit të këtyre objekteve. Zëri