
Blerta Neziraj vlerësohet si 'Regjisorja më e Mirë' në Maqedoninë e Veriut
Regjisorja Blerta Neziraj është shpërblyer me çmimin “Regjisorja më e mirë” në festivalin ndërkombëtar të teatrove “Othello” të Maqedonisë së Veriut. Zeqiraj është shpërblyer për shfaqjen e saj më të re, e cila titullohet “Pesë stinët e armikut të popullit”. Lajmin e ka bërë të ditur qendra “Multimedia”, në kuadër të së cilës është prodhuar kjo shfaqje. Shkruan sot gazeta "Zëri"
“Jemi shumë të lumtur të ndajmë me ju lajmin se Blerta Neziraj u nderua me çmimin për regjisoren më të mirë për shfaqjen ‘Pesë stinët e armikut të popullit’ e cila është prodhimi i fundit i Qendrës Multimedia”, thuhet në njoftimin e kësaj Qendre.
Festivali ndërkombëtar i teatrove “Othello” u mbajt nga data 3 deri më 8 nëntor në Gostivar të Maqedonisë së Veriut. Përgjatë pesë ditëve, në kuadër të këtij festivali u organizuan një varg aktivitetesh, si dhe shfaqje të ndryshme rajonale e ndërkombëtare.
Shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” trajton një temë të veçantë. Ajo flet për përpjekjet e arkitektit të vrarë pas luftës në Kosovë Rexhep Lucin, i cili kundërshtonte ndërtimet e egra në Prishtinën e pasluftës, por flet gjithashtu edhe për gjithë kaosin e asaj periudhe në Prishtinë. Shfaqja flet për arkitektin e planifikuesin hapësinor Rexhep Lucin, i cili po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Kjo shfaqje tregon se për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër Rexhep Luci ishte armiku.
Rikujtojmë se arkitekti Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë. Pra “Pesë stinët e armikut të popullit” flet për heroin që komprometohet nga shumica dhe për përgjegjësinë e shumicës si armike e të vërtetës dhe e lirisë.
Në shfaqjen “Pesë stinët e armikut të popullit”, me regji të Blerta Nezirajt e tekst të Jeton Nezirajt, luajnë aktorët: Armend Smajli, Shpetim Selmani, Verona Koxha, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi dhe Afrim Muçaj si dhe muzikantë: Tomor Kuçi, Arbër Salihu dhe Drin Tashi.Zëri