Komandanti legjendar përjetësohet në një shtatore tremetërshe 

Komandanti legjendar përjetësohet në një shtatore tremetërshe 

Kultura November 28, 2019 - 12:18
Image

Tri metra e dhjetë centimetra është e gjatë shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari, të cilin e ka punuar skulptori ferizajas Agon Qosa. Kjo shtatore, përmes së cilës nderohet figura e heroit nga Prekazi, që me familjen e vet i dha kthesë historisë së re të Kosovës, pritet të vendoset në qytetin e Fushë Kosovës.  Përurimi i shtatores do të bëhet më 28 nëntor në përvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe në ditëlindjen e komandantit Adem Jashari.

Shtatorja e Adem Jasharit do të vendoset në parkun afër shkollës “Selman Riza” në Fushë Kosovë. Për punimin e shtatores së Adem Jasharit ka pasur konkurs nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, në të cilin Qosa ka marrë pjesë dhe është përzgjedhur për ta punuar. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka njoftuar se zbulimi i shtatores së Adem Jasharit do të bëhet në orën 14:00. “Kam nderin t’ju njoftoj se më datë 28.11.2019, duke filluar nga ora 14.00, në Fushë Kosovë do të zbulohet shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari. Prezenca juaj do të na nderojë në këtë ditë të rëndësishme të kombit tonë. Kjo ngjarje organizohet duke kujtuar rëndësinë e datës 28 nëntor për kombin shqiptar”, ka njoftuar Qeriqi.

Për gazetën “Zëri” skulptori ferizajas ka thënë se punimi i shtatores së Adem Jasharit ka qenë nder dhe përgjegjësi e madhe. Pavarësisht se ka punuar në një presion kohor, Qosa thotë se është munduar ta realizojë më së miri këtë vepër, me synimin e vetëm që të ngrejë një shtatore, e cila i përngjan fort Adem Jasharit. “I gjithë modelimi artistik është bërë brenda 14 ditëve dhe është punuar nga argjila”, ka treguar Qosa, i cili tutje ka shkruar se pas publikimit të disa fotografive gjatë procesit të punës ka marrë qindra komente pozitive. Atelienë e tij e kanë vizituar nga kureshtja shumë personalitete për ta parë nga afër procesin e punës së kësaj shtatoreje, e cila po cilësohet si një nga më të mirat e Adem Jasharit që janë punuar deri më tani.

E punimi i shtatores së Adem Jasharit nuk është i vetmi që i është besuar skulptorit. Ai për shembull e ka të finalizuar edhe shtatoren e veprimtarit e të pajtuesit të gjaqeve Anton Çettës, ani pse kësaj shtatoreje Komuna e Prishtinës ende nuk ia ka gjetur vendin. E me përkushtim të njëjtë Qosa është angazhuar për ta punuar edhe shtatoren e komandantit Agim Ramadani, i cili pritet të vendoset në komunën e Gjilanit. Skulptori përveç figurave të luftës, talentin e tij në art e ka shprehur edhe në dhjetëra vepra të tjera artistike.