Visar Morina në garën kryesore të “Sundance Film Festival”

Visar Morina në garën kryesore të “Sundance Film Festival”

Kultura December 06, 2019 - 10:36
Image

Në “Sundance Film Festival”, një ndër festivalet më të rëndësishme të filmit në botë, në garë është edhe filmi i regjisorit nga Kosova, Visar Morina, i cili në këtë festival do të prezantohet me filmin e metrazhit të gjatë “Exil”. Lajmin e ka konfirmuar Qendra Kinematografike e Kosovës.

Filmi “Exil”, i Visar Morinës, rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhyt atë në krizë të identitetit. Filmi “Exile”, i skenaristit dhe i regjisori Visar Morina, skenari i të cilit është shpërblyer me çmimin prestigjioz gjerman “Lola’s Gold”, vjen pas sukseseve me filmin “Babai”, i cili fitoi në Festivalin e Karlovy Varyt për “Regjinë më të Mirë”. “Exile” është bashkëprodhim në mes të “Komplizen Film” Gjermani, “Ikonë Studio” Kosovë (Yll Uka, Valon Bajgora) dhe “Frakas” nga Belgjika, i financuar nga: Minister of State for Culture and Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, German Federal Film Board.

Film “Exile” sjell një kastë briliante të aktorëve, si: Sanrda Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi.

Regjisori Morina njihet më së shumti për filmin e tij të suksesshëm “Babai”, i cili u shfaq në shumë festivale botërore dhe rrëmbeu dhjetëra çmime viteve të fundit. Filmi “Babai”, në rolet kryesore të të cilit luajnë Astrit Kabashi dhe Val Maloku, ka qenë propozimi i Kosovës në kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj” në “Oscars” për vitin 2015. Kabashi, që luan rolin e Gëzimit dhe Maloku që luan rolin e Norit sjellin rrëfimin për Kosovën e viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, ku njerëzit luftojnë për një jetë më të mirë, të cilët duan përvojën ta gjejnë nëpër rrugët e botës. Gëzimi, i cili dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani, përballet me të birin Norin, i cili bën çdo gjë për të qenë me të. Në këto rrethana të zënë mes dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë marrëdhënia baba - bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.Zëri