Zëri i të mbijetuarve të luftës u dëgjua në skenën e TKK-së

Zëri i të mbijetuarve të luftës u dëgjua në skenën e TKK-së

Kultura December 10, 2019 - 10:29
Image

Në hapësirën e Teatrit Kombëtar të Kosovës dje u prezantua më ndryshe libri me titull “Unë jam Anemone”, që u dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë. Në kuadër të fushatës “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore” organizata “Medica Gjakova” nëpërmjet zërit të artistëve: Shëngyl Ismaili, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Rebeka Qena, Lena Kryeziu-Bokshi e Anisa Ismajli, përcolli zërin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Këto rrëfime, nën përkujdesjen e regjisorit Besim Ugzmajli, u morën nga libri “Unë jam Anemone”, që përmban 25 sosh, shkruan sot gazeta "Zëri".

Personazhet e librit u vunë në skenë përmes aktorëve, që me lexime skenike sollën emocione të forta te publiku. Pas interpretimit të aktorëve promovimi vazhdoi me panelin diskutues, ku publiku kishte mundësi të informohej më shumë për librin dhe për gjendjen e të mbijetuarve. Në panel morën pjesë drejtoresha e “Medica Gjakovës” Mirlinda Sada, sociologia Linda Gusia, psikologja, si dhe drejtoresha e sektorit për “Trauma Terapi” në kuadër të organizatës “Diakonie Kosova”, Xhevahire Balaj.
Mirlinda Sada fillimisht tregoi për librin e sapopromovuar dhe pastaj për veprimtaritë e organizatës që drejton. Ajo bëri të ditur se lulja e anemonës, si simbol i të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës në Kosovë, është ideuar nga e ndjera, regjisorja Arzana Kraja.

“Karakteristikat e lules anemone janë që kur asaj i ofrohen stuhi e shtrëngata i mbyll fletat, mbyllet në vetvete dhe e mbron veten, mirëpo në momentin kur i vjen një freski pranvere ajo hap petalet dhe lulëzon, duke u bërë e gatshme të presë ndihmën e të tjerëve që të lulëzojë sa më shumë. Lulet paraqesin të mbijetuarat, sepse stigma është shumë e pranishme në shoqërinë tonë, ato sa më shumë stigmatizohen, mbyllen në vetvete dhe nuk flasin, mirëpo në momentin kur ato e shohin një ambient të sigurt dhe përkrahen, atëherë flasin dhe lulëzojnë”, tregoi Sada.

Libri është përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe tashmë ka marrë një udhëtim edhe përtej kufijve të Kosovës. Siç u tha në këtë prezantim, ai po u dhurohet edhe personave eminentë, të cilët do të kenë ndikim për përmirësim e së ardhmes së Kosovës.


“Medica Gjakova” është një organizatë e cila punon në mënyrë profesionale që nga viti 1999 për përmirësim e shëndetit mendor dhe fizik të grave, të mbijetuarve të dhunës seksuale. “Organizata gjithashtu punon në mënyrë profesionale, duke ndikuar në politikat në nivel lokal dhe nacional, me qëllim të përmirësimit të jetës dhe integrimit të tyre në shoqëri. Kjo arrihet përmes një strategjie të dyfishtë që ‘Medica Gjakova’ përdor nëpërmjet zhvillimeve multidisiplinore, psiko-sociale, gjinekologjike, shërbimeve juridike, fuqizimit ekonomik dhe në anën tjetër me evokim dhe lobim për përmirësim e politikave”, tha Sada, duke vazhduar më tutje se organizata me këtë libër kishte qëllim që edhe pas 20 vjetësh ne të njihemi edhe një herë për së afërmi me historitë e këtyre grave dhe zëri i tyre të jehojë brenda Kosovës e jashtë saj. Organizata momentalisht mbulon të gjithë territorin e Kosovës me shërbimet të cilat i ofron dhe për herë të parë në Kosovë ka filluar edhe trajtimin e qifteve.

Në anën tjetër, sociologia Gusia u shpreh se një hap i rëndësishëm pas gjithë kësaj duhet të jetë dokumentimi i asaj që ka ndodhur. “Empatia, krijimi i bashkëndjenjës dhe luftimi i stigmës kanë qenë hapi i parë si fokus kryesor i aktivizmit publik në Kosovë, mirëpo hapi tjetër duhet të jetë dokumentimi i asaj që ka ndodhur. Në Kosovë në përgjithësi s’kemi qenë të lirë dhe kemi pasur një qasje, e cila është e kuptueshme, duke marrë parasysh rrethanat dhe kompleksin që ka Kosova. Një qasje e shikimit përpara dhe ballafaqimi me të kaluarën ka munguar”, tha Gusia, duke theksuar se dokumentimi i rrëfimeve është i domosdoshëm. “Dhuna seksuale është një strategji dhe armë lufte, prandaj është e domosdoshme krijimi i dokumentacionit, sepse na ndihmon një qasje në drejtësi. Fokusi ynë kolektiv duhet të jetë kërkimi i drejtësisë dhe jo vetëm sensibilizimi”, theksoi Gusia.

E Xhevahire Balaj shpjegoi se si libri prek dimensione të ndryshme. I pari, siç tregoi ajo, është dimensioni i traumës. “Përmes leximit të librit ne kuptojmë se sa dimension i madh traumatik është dhuna seksuale. Përveç dhunës seksuale viktimat përjetojnë edhe tmerret e torturës, ku atakohet dinjiteti, familja dhe gjenerata brez pas brezi. Ky ka qenë qëllimi i tyre, që dëmet të mos përfundojnë me mbarimin e luftës, por të na përcjellin më tutje”, tha Balaj, duke theksuar se dimension tjetër i rëndësishëm i traumës është pafuqia për të mbrojtur anëtarët e familjes. “Ne si shoqëri nuk e kemi trajtuar ende këtë dimension. Trajtimi dhe rehabilitimi i personave dhe i anëtarëve të tjerë është gjithashtu i rëndësishëm”, përfundoi Balaj.

Nga shfletimi i këtij librit lexuesi mund të kuptojë se strategjitë e ballafaqimit të viktimave kanë qenë nga më të ndryshmet. Disa janë detyruar të rrisin fëmijët, disa janë detyruar të largohen, sepse janë konsideruar si të njollosura, pra ato janë detyruar të paguajnë koston e madhe shoqërore. Ky libër po cilësohet si dëshmi e historisë sonë të re dhe dokumentim i përjetimeve të luftës. Zëri