Një dekadë e suksesshme për Astrit Kabashin

Një dekadë e suksesshme për Astrit Kabashin

Kultura December 30, 2019 - 18:23
Aktrimi i tij është duartrokitur nga publiku i shumë festivaleve ndërkombëtare në Evropë, në SHBA e në Kanada.
Image

Për vite të tëra aktori Astrit Kabashi ka bërë publikun kosovar të qeshë me rolin e tij në serinë vendore “Kafeneja jonë”, në të cilin ishte edhe skenarist. Viteve të fundit Kabashit i janë besuar disa role në filmat vendorë, të cilët kanë rezultuar të suksesshëm si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, shkruan gazeta Zëri.

Aktrimi i tij është duartrokitur nga publiku i shumë festivaleve ndërkombëtare në Evropë, në SHBA e në Kanada dhe puna e tij është vlerësuar nga juritë profesionale falë roleve të tij në filmat “Babai”, “Zana”, “Fusha e mëllenjave” e të tjerë. Në këto role të viteve të fundit Kabashin e kemi parë kryesisht duke bartur barrën e personazheve të bazuara në të kaluarën e dhimbshme të Kosovës dhe në dramën, që shoqëria jonë ka përjetuar. E Astriti si artist është mirëpritur e është vlerësuar po njësojë si në komedi e në teatër. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Kabashi flet më gjerësisht për rrugëtimin e tij artistik dhe për sukseset e dekadës, që po lëmë pas.

Zëri: Viteve të fundit publiku ju ka duartrokitur për rolet në filmat siç janë: “Babai” e “Zana”. Si ishte për ju si aktor eksperienca e të barturit peshën e njërit prej roleve kryesore në këta dy filma të suksesshëm?

Që të jesh aktor kryesor në një vepër filmike është kënaqësi shumë e madhe e privilegj, por në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi shumë e madhe. Kjo kërkon angazhim e mund, sepse puna fillon nga momenti kur regjisori ta ofron atë rol e kjo nënkupton se ti si aktor do të punosh përafërsisht një vit në atë personazh. Sa i përket filmit “Babai” dhe filmit “Zana” prapë e them se ndihem i lumtur që kam qenë pjesë e këtyre dy filmave të mrekullueshëm, por mendoj se filmi “Babai” është filmi, i cili ua ka hapur rrugën edhe personazheve të tjera, të cilat kanë ardhur pastaj, si: filmi “Zana”, “Fusha e mëllenjave” nga e ndjera Arzana Kraja, “Vera andrron Detin” nga Kaltrina Krasniqi, “Zgjoi” nga Blerta Basholli, “Shpata prej Druri” nga Emre Konuku, “Exil” prapë nga Visar Morina, “Vozitësi” nga Valter Lucaj, “Albanian Virgin” nga Bujar Alimani, “South Wind” nga Milos Avramovski, që përveç “Babait” dhe filmit “Zana” të tjerët do ta kenë premierën ne vitin 2020.

Zëri: Te filmi “Babai” ju portretizoni babanë e aktorit të ri, Val Maloku, ose thjesht të një qytetari të viteve ’90-a në Kosovë, i cili orvatet të sigurojë një jetë më të mirë për veten dhe për të birin. A e keni pasur vështirë të mëshiroheni me këtë rol?

Ajo që e ka bërë më të lehtë punën time në rolin e babait ka qenë regjisori Visar Morina. Kjo do të mbetet një përvojë e paharrueshme për mua. Unë ndoshta e kam pasuar më të lehtë, sepse edhe vetë i kam përjetuar vitet e ’90-ta, pastaj edhe vetë jam prind e fëmija që luante me mua ka qenë në të njëjtën moshë me fëmijën tim. Vali ka qenë një fëmijë i jashtëzakonshëm. Po them fëmijë, sepse tashmë është bërë burrë. Një fëmijë shumë inteligjent, i cili për mua pastaj gjithçka ishte më e lehtë. Jo vetëm për mua, por për gjithë ekipin.

Zëri: Në anën tjetër, së fundmi keni vazhduar bashkëpunimin me regjisorin e filmit “Babai” Visar Morinën. Ai jua ka besuar edhe një rol në filmin e tij të ri “Exil”. Çfarë mund të shpalosni për lexuesit e “Zërit” për këtë projekt të ri?

Për filmin “Exil” përveç faktit se është futur në garë në një ndër festivalet më të mëdha në botë, si është ai i “Sundance”, nuk e mendoj se kam kompetencë më shumë të flas përderisa nuk jepet si premierë. Unë luaj rolin e një shqiptari, i cili jeton me familjen e tij në Gjermani. Përndryshe, jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij projekti shumë të madh.

Zëri: Filmi “Zana”, i regjisores Antoneta Kastrati, ju pasqyron në një rol tjetër jo të lehtë, ku paraqiteni në pozitën e bashkëshortit të një gruaje të traumatizuar nga lufta e të një prindi, i cili ka humbur të bijën. Nëse e bëni një krahasim me rolet e tjera, çka e bën të veçantë personazhin tuaj te “Zana”?

Roli i Ilirit në filmin “Zana” ka qenë një rol shumë sfidues, me kënaqësi e kam pranuar atë. Besoj se ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë me Antonetën. Ky ka qenë një rol shumë kompleks, sepse Iliri përveçse e do gruan e tij, ka edhe dhimbjen për humbjen e vajzës. Në të njëjtën kohë ka probleme me autoritetin, të cilin e ushtron nëna ndaj tij dhe të presionit nga të gjitha anët që ta këtë një fëmijë. Por ndihem mirë që roli dhe filmi janë pritur mirë kudo që është shfaqur.

Zëri: Për fund, nuk mundemi pa ju pyetur për projektin shumë të dashur të publikut, për serinë “Kafeneja jonë”. Në atë projekt shumëvjeçar përveçse keni pasur njërin nga rolet më të pëlqyera, keni qenë edhe skenarist. Sa është i veçantë për ju kjo seri dhe sa ju bren fakti se nuk ka pasur më vazhdimësi?

Ka qenë kënaqësi të punosh në serinë “Kafeneja jonë”. Unë aty kam qenë i angazhuar si aktor në fillim, e pastaj nga episodi i katërt edhe si skenarist për 10 vjet. Është për keqardhje që ky projekt u ndal kur ishte në majat e tij dhe që kurrë nuk e kemi kuptuar se pse është ndalur. Tash për Vitin e Ri kemi bërë një episod festiv për televizionin “T7”, shpresoj të vazhdojë! //ZERI