Katër zejtarë në Gjakovën që dikur kishte qindra sosh

Katër zejtarë në Gjakovën që dikur kishte qindra sosh

Kultura December 30, 2019 - 21:06
Rrugët e përdredhura të Çarshisë së Madhe në Gjakovë numërojnë rreth 500 dyqane të vogla prej drur
Image

Nga qindra sa ishin dikur, në ditët e sotme vetëm 4 zejtarë rrahin veglat e tyre në Gjakovë. Çarshia e Gjakovës, që njihej për artizanale dhe për punën e dorës, ka ndryshuar shumë, sidomos 20 vjetët e fundit. Të paktë janë ata zanatlinj që ende me mish e me shpirt po mundohen t’ia ruajnë identitetin kësaj pjese të Kosovës, shkruan gazeta Zëri.

Lexo edhe: Një dekadë e suksesshme për Astrit Kabashin

Rrugët e përdredhura të Çarshisë së Madhe në Gjakovë numërojnë rreth 500 dyqane të vogla prej druri, të cilat që prej shekullit XVI kanë qenë qendra të zejtarëve të ndryshëm. Gjeneratat e vjetra sigurisht e kanë ende në kujtesë gjallërinë e Çarshisë kur në të punonin qindra zejtarë dhe ku shiteshin e bliheshin shumë produkte prodhim dore. Çarshia e Madhe, që ishte zemra e funksionimit ekonomik për qytetin perëndimor të Kosovës, e tillë sot ka mbetur vetëm në kujtesë e në fotografi. Gjatë kohës së luftës në vitin 1999 pazari dhe Çarshia e Vjetër ishin shkatërruar, mirëpo dyqanet u rindërtuan me të njëjtin stil. Shumë prej tyre sot shërbejnë si kafene. Prej gjithë atyre zejtarëve që kanë punuar aty tani kanë mbetur vetëm katër, të cilët kanë trashëguar zanatin nga të parët e tyre. Në qytet funksionojnë vetëm dy saraçë, që punojnë elemente të kuajve, një orëndreqës dhe një djeppunues. Gazeta “Zëri” ka trokitur në dyert e dy prej tyre për të parë se si mbesin gjallë këto zeje sot.

Lexo edhe: Apartamenti misterioz i Kadaresë - dy hyrje, një dhomë e ndaluar

Puna e saraçëve, në mesin e zejeve që po veniten


Bashkim Morina është njëri nga dy saraçët e vetëm që kanë mbetur aktivë në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës. Për gazetën “Zëri” Morina tregon se këtë profesion e ushtron qe shumë vite. Ai merret me pajisje të kuajve, ku të gjitha janë punë dore. “Çdo gjë që realizoj është punë dore. Një fre i kalit për ta punuar merr kohë rreth 6 orë. Disa prej elementeve përfundohen më shpejt e për disa të tjera nevojitet më shumë përkushtim, sepse kanë edhe materiale të ndryshme”, tregon Morina. Ai shton se profesioni i saraçëve ka lulëzuar para 100 vjetëve, mirëpo me kalimin e kohës ky zanat është në zhdukje e sipër, sepse zhvillimi i teknologjisë ka ndikuar dukshëm. “Në këtë dyqan ka punuar gjyshi im, pastaj është pasuar zanati te babai dhe tek axhallarët e mi, unë jam brezi i tretë dhe dyqani ka më shumë se 100 vjet që është i hapur”, thotë Morina, duke shtuar se që prej kohës së pasluftës dhe me zhvillimin e teknologjisë profesioni i tyre është në falimentim e sipër. Para disa vitesh, kur secili fshat numëronte dy kuaj në shtëpi, puna e saraçëve ishte shumë e zhvilluar, sepse për secilin kalë i kanë punuar rripat ose frerët e tyre. Ndërsa në ditët e sotme, siç bëri me dije edhe zejtari, punimet nëpër fshatra i realizojnë me teknologji të re dhe shumica nuk mbajnë kuaj. “Unë vazhdoj ta mbaj dyqanin hapur vetëm për punë tradite dhe si trashëgimi nga familja, sepse nuk është profesion fitimprurës. Do të ishte mirë të pasohet edhe te brezi tjetër, mirëpo për arsye që kushtet ekonomike nuk janë të favorshme ne nuk mund t’ua imponojmë”. Më tutje zejtari bëri me dije se kanë qenë të interesuar të bashkëpunojnë me Komunën e Gjakovës dhe kanë kërkuar ndihmë, mirëpo ka pasur vetëm premtime dhe asnjë iniciativë konkrete. “Shumë shoqata na kanë vizituar dhe kanë ofruar ndihma për një makinë punë, mirëpo neve nuk na duhet makina kur s’kemi punë. E vetmja mënyrë që të mos zhduket ky zanat është që të na sigurojnë një rrogë minimale, që ta mbajmë gjallë dhe hapur dyqanin”, tha Morina. Për produktet e zejtarëve kanë interesim edhe të huajt, të cilët vlerësojnë shumë punën e tyre. Morina shpreson se në ardhmen kuajt të përdoren më shumë në funksion të sportit dhe puna e tyre të ringjallet.


Arkapunuesit në Gjakovë, mbi 100 vjet traditë


Familja Qarri është njëra ndër të parat familje që merren me zdrukthëtari ose me punime të arkave në Gjakovë, e cila për dekada me radhë është marrë me punimet e arkave të nuseve. Gjithsej në qytetin e Gjakovës thuhet të kenë qenë afër 30 arkapunues, që kanë punuar arka me lule dhe me dizajnë. Ky zanat është trashëguar brez pas brezi nga të parët e familjes Qarri, por tani duket se po shuhet.

Ruzhdi Qarri, zdrukthëtar dhe djeppunues në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, shpalos për gazetën “Zëri” punimet e veta, teksa rrëfen traditën e familjes së tij. Për më shumë se 50 vjet ai punon si djeppunues. “Profesioni si djeppunues gjithashtu ka filluar të venitet. Nuk ka shumë perspektivë dhe brezat e rinj nuk tregojnë interesim për ta mbajtur gjallë”, tregon Qarri, duke shtuar se edhe si profesion është i vështirë, sepse meqë është edhe zdrukthëtar e punon djepin që nga prodhimi e deri në fund te dizajni. Atij i duhet një javë kohë t’i finalizojë dy djepa. Qarri shquhet për talentin e tij në arte të lira. Ai punon një lloj djepi, i cili është i rrallë dhe ai është i vetmi që mund ta punojë. Puna e tij është vlerësuar shumë dhe ka marrë ftesa që të japë mësim në Vjenë për arte të lira. “Për punën time kanë qenë të interesuar shumë ndërkombëtarë. Kam punuar një kuti dy metra për drejtorin e Ambasadës Amerikane. Po ashtu një vizitore amerikane me prejardhje izraelite ka kërkuar që t’ia punojë një djep me simbol të Izraelit”, tha Qarri.

Njëra prej prodhimeve të tij, djepi 1 m e 60 cm, i realizuar me shumë kujdes, ka marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar në Torino. Ky djep tashmë gjendet në Galerinë e Arteve në Prishtinë, ku mund të vizitohet nga qytetarët. Ky dyqan në Çarshi të Gjakovës tash e sa vite vizitohet shumë shpesh nga vizitorë të ndryshëm nga mbarë bota, të cilët mahniten me punimet dhe me dizajnët e djeppunuesit. //ZERI