Njeriu që projektoi çiftelinë për ta përmbushur vetveten me art

Njeriu që projektoi çiftelinë për ta përmbushur vetveten me art

Kultura December 31, 2019 - 18:07
Detajet
Image

Tingujt e çiftelisë me dy tela i kemi dëgjuar gjithmonë në këngët folklorike në oda tradicionale e në ambiente tjera. Për këtë instrument dashuri të veçantë kishte gjithmonë edhe Fahri Krasniqi, i cili fatkeqësisht është me aftësi të kufizuara qysh nga mosha 7-vjeçare. Fakti që e kishte të pamundur të mësonte t’i binte çiftelisë së zakonshme e shtyri Fahri Krasniqin, nga fshati Grashticë e Prishtinës, ta punojë një çifteli unike sipas nevojave të veta. Çiftelia që Krasniqi e ka punuar është elektrike dhe e veçantë, si nga pamja, ashtu edhe nga roli, shkruan gazeta Zeri.

Për gazetën “Zëri” ai shpalosi peripecitë që e përcollën gjatë punimit të këtij instrumenti dhe rëndësinë që ka çiftelia elektrike për të. “Çiftelinë kam bërë dy vjet që ta realizoj. Atë e kam punuar menjëherë pas luftës, pa pasur model të çiftelisë dhe as nuk kam parë çifteli, rrallë ndonjëherë në ndonjë televizion. Më kanë pëlqyer tingujt e çiftelisë dhe kam dashur ta realizoj një timen”, ka rrëfyer ai për “Zërin”, duke shtuar se dëshira e flaktë që të luajë me këtë instrument e ka shtyrë atë ta përpunojë një version, që do t’i përshtatej atij. “Unë nuk kam mundur të luaj me çifteli, për shkak se jam me aftësi të kufizuara. I kam menduar disa alternativa tjera se si mund të krijoj diçka. Nga vullneti dhe nga dëshira e kam realizuar çiftelinë elektrike për t’i nxjerrë dy ose tri nota, sa për ta larguar dëshirën që kisha për të luajtur me këtë instrument”, ka rrëfyer më tutje ai. I vetëm Krasniqi përpunimin e çiftelisë e ka filluar me pak mjete dhe nga zeroja, pa ndihmën e askujt. “Pak ka qenë e vështirë, se vetëm me një dorë e kam punuar dhe kam pasur shumë pak mjete në atë kohë. Kam startuar me një sqepar dhe me një brisk. S’kam pasur asgjë tjetër dhe kam filluar nga zeroja”, ka thënë më tutje ai.

Por kjo çifteli, për të cilën u mundua aq shumë Fahriu, nuk po përdoret edhe aq nga ai. Kjo për shkak se ai nuk di të luajë edhe aq mirë me të. “Çiftelinë e mbaj dhe e përdor shumë pak. Nuk di të luaj mirë me të, por në atë kohë sa e kam punuar kam menduar se do të mund t’i bie, pasi kam pasur shumë dëshirë”.

Fahriu mendoi edhe për diçka që ndodh shpesh në Grashticë. Pasi që rryma ndalet shpesh dhe çiftelia është elektrike ai mori parasysh që atë ta bëjë edhe në një mënyrë, që mund të punojë edhe pa rrymë. “Çiftelia nuk ka nevojë për rrymë, sepse i kam bërë dy mënyra: njëra është me rrymë dhe njëra është pa rrymë. Ajo me rrymë mbetke shpejt pa të dhe këtu ka reduktime të shpeshta të rrymës. Po ashtu edhe notat nuk dilnin mirë me të. Kisha dëshirë ta bëja një më të ngadalshme dhe ia vura një pjesë mbi të, që të mund të luaj më lehtë në të”, pohoi ai, duke thënë se deri tani ka vetëm një çifteli të këtij lloji, në të cilën ka punuar shumë. E projekte, por edhe modifikime të tjera, që veçse janë funksionale dhe interesante për syrin e njeriut, pritet të kemi edhe në të ardhmen nga Fahriu. “Nëse gjej diçka interesante pa dyshim se do ta bëj me gjithë dëshirë”, përfundoi ai. //ZERI