'Delegacioni' i Alimanit, në Nju-Jork

'Delegacioni' i Alimanit, në Nju-Jork

Kultura January 14, 2020 - 10:24

Filmi shqiptar “Delegacioni” mbrëmjen e datës 14 janar shfaqet premierë në Nju-Jork. Me regji nga Bujar Alimani, ky film po vijon prezantimet në shtete e në qytete të ndryshme të botës. Këtë muaj të parë të vitit është Nju-Jorku, ku do të shfaqet filmi “Delegacioni”, që deri tani ka pasur vlerësime me çmime të ndryshme në disa festivale ndërkombëtare të filmit. 

Filmi është me skenar nga i ndjeri Artan Minarolli dhe me regji nga Bujar Alimani. Regjisori i njohur Bujar Alimani shprehet se premiera e filmit shqiptar në SHBA erdhi nga kërkesa e komunitetit shqiptar për ta parë “Delegacionin”. “Filmi ‘Delegacioni’ bën premierën më 14 janar në NYC në Manhattan, në një kinema, e cila është pjesë e një kolegji ku organizohen jorrallë ngjarje kinematografike, quhet ‘SVA Theatre - School of Visual Arts’. Kërkesa e komunitetit shqiptar në Nju-Jork ka qenë tepër e madhe, pasi “Delegacioni” jo vetëm me sukseset në Evropë e më gjerë, por tashmë ka nisur një rrugë në festivalet amerikane, siç është ai i këtyre ditëve ‘Palm Springs’, njëra nga festivalet më të rëndësishme në botë e pa dyshim më i madhi në SHBA”, shprehet mes të tjerave regjisori Bujar Alimani, i cili me këtë projekt kinematografik po vazhdon me vlerësime dhe me mikpritjen e publikut e të kritikës. Regjisori Alimani tregon se për këtë prezantim të filmit shqiptar në Nju-Jork do të jenë edhe shqiptarë nga shtete të tjera, që nga Bostoni, Filadelfia, Nju-Xhersi, Ohio, Uashingtoni e deri nga Kanadaja. “Është një festë shumë e madhe në zemër të botës për kinematografinë shqiptare”, thotë regjisori Alimani.

Ndërkaq vjet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë u bë me dije se filmi “Delegacioni”, pas çmimit të madh “Grand Prix” në Varshavë dhe vlerësimit si “Filmi më i Mirë i Gjatë” në Festivalin e Triestes, u përzgjodh nga Komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të përfaqësuar Shqipërinë në “Oscar”, në kategorinë për “Filmin Artistik Ndërkombëtar më të Mirë” në AMPAS. Në role të “Delegacionit” janë aktorët si: Viktor Zhusti, Xhevdet Feri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha, ndërsa nga Kosova në film paraqiten aktorët: Bislim Muçaj, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Smajli, Gani Morina, Arta Selimi, Imer Loshi. Në role janë dhe Rovena Lule, Bislim Muçaj, Kristaq Skrami, Mehmet Xhelili, Jorgaq Tushe, Todi Llupi, Lulzim Zeqja, Mirela Naska etj. Ngjarjet në film nisin në tetor 1990. Regjimi komunist në Shqipëri po përpiqet ta mbajë pushtetin. Për regjisorin Alimani filmi “Delegacioni” përcjell mesazhe të forta. Në reagimin e tij më herët regjisori ka treguar se edhe sot shoqëria vuan pasojat e atij sistemi që lamë pas, por këtë herë me një formë të re. Ky film është bashkëprodhim në mes të Shqipërisë (“Art Film” SHPK), Kosovës (“Bleri Production”), Francës (“Zorba production”) dhe Greqisë (“Graal Films”). Zëri