Billie Eilish do ta këndojë kolonën zanore të filmit të ri të James Bondit

Billie Eilish do ta këndojë kolonën zanore të filmit të ri të James Bondit

Kultura January 16, 2020 - 10:42

Muzikantja e njohur amerikane Billie Eilish do të këndojë këngën që do të jetë kolonë zanore e filmit më të ri të James Bond me titull “No Time to Die”. Këtë e kanë bërë të ditur producentët e filmit, Michael G. Wilson dhe Barbara Broccoli. “Jemi të ngazëllyer të njoftojmë se Billie dhe Finneas kanë shkruar një këngë jashtëzakonisht të fuqishme dhe prekëse për filmin ‘No Time To Die”, deklaruan producentët.

Billie, vetëm 18-vjeçare, e njohur për hitin e saj “Bad Guy”, është artistja më e re në histori që ka shkruar dhe ka kënduar këngë për filmin e James Bondit. Edhe ajo vetë është shprehur e ngazëllyer për këtë mundësi që i është dhënë. “Ndjenjë e çmendur të jesh pjesë e kësaj në çfarëdo mënyre. Që të mund të incizosh këngën e filmit, që është pjesë e një serie aq legjendare, është nder i madh. James Bond është franshiza më e mirë e filmit që ekziston ndonjëherë. Akoma jam e tronditur”, ka thënë në anën tjetër  Billie.

“No Time to Die” paraqet kthimin e aktorit Daniel Craig si spiuni britanik James Bond, i cili thirret nga pensionimi për të shpëtuar një shkencëtar të rrëmbyer. Ekipi i tij i portretizuar nga Ralph Fiennes, Ben Whishaw dhe Naomie Harris të gjithë kthehen, dhe po ashtu Lashana Lynch që luan Nomi – agjenten 00, pas pushimit të Bond nga shërbimi aktiv. E sa u përket tipave të këqij, Christoph Waltz kthehet si Blofeld dhe Rami Malek bashkohet si keqbërësi Safin. “No Time To Die” me regjit të regjisorit amerikan Cary Fukunaga do të shfaqet premierë nëpër kinema më 8 prill 2020.Zëri