Eliza Hoxha: Kultura të mos sakrifikohet për pazare politike

Eliza Hoxha: Kultura të mos sakrifikohet për pazare politike

Kultura January 17, 2020 - 10:24
Image

Ideja që Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit të shpërbëhet në qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe që këto fusha të menaxhohen përmes nëndegëve në ministri të tjera ka ngjallur debat në skenën kulturore në Kosovë. Ndonëse ende nuk ka një vendim zyrtar për këtë, artistët mendojnë se kultura duhet të vazhdojë ta ketë një shtëpi të veten. E këtij mendimi është edhe Eliza Hoxha, artistja dhe njëherësh arkitektja e zgjedhur si deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë. Ajo thotë për “Zërin” se kultura nuk mund të sakrifikohet për këto pazare politike.

Zëri: Cili është qëndrimi juaj sa i përket idesë së zhbërjes së Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit?

Kultura është kush jemi dhe çfarë e formon identitetin tonë. Në kohën kur të gjitha kartat dhe agjendat globale e vendosin kulturën në zemër të qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm si mënyrë e vetme për të siguruar një mjedis të zhvillimit të barabartë, gjithëpërfshirës dhe të drejtuar kah njeriu, tek ne vendoset për zhbërjen/copëzimin ose shkrirjen në ministri të tjera. Kultura jonë, trashëgimia jonë dhe ajo se kush jemi ne në Kosovë është sulmuar historikisht e para, andaj është vitale për një shtet të ri si Kosova që sektori i kulturës dhe anëtarët kulturorë të kenë adresën e vet dhe shtëpinë e vet. Andaj një shtet që nuk e promovon kulturën e vet nuk mund të ketë as identitet e as sukses politik. Andaj për historinë e re të Kosovës shtet-identitetet e vjetra duhet të mirëmbahen dhe vlerat e reja shoqërore, kulturore dhe politike duhet të kultivohen për një identitet të plotësuar.

Zëri: Sipas jush, cilat janë disa nga argumentet kryesore se pse nuk duhet të zhbëhet ky institucion?

Edhe kështu si ka qenë MKRS-ja ka pasur lëvizje e mendime që  kultura duhet të trajtohet si e vetme, duke qenë se sot në rrethana të globalizimit dhe të njëjtësimit të gjithçkaje kultura është platforma kryesore dhe e vetme që bën diferencën midis popujve, rrit krenarinë kolektive dhe ndjenjën e përkatësisë. Raste të shumta të tilla ka edhe në regjion, ku Ministria e Kulturës vepron si e vetme, sepse është specifike dhe lidhet jo vetëm më përfaqësimin, por me procesin e krijimit dhe kreativitetin që e dallojnë nga nevojat e domosdoshme njerëzore. Dhe në një klimë mendimesh për riformatim të Ministrisë së Kulturës nga sektori i skenës së pavarur kulturore sot jemi në një moment ku për pazare politike duhet të zhbëhet pikërisht kjo Ministri, e cila me anëtarët dhe institucionet e fuqizuara dhe të përkrahur nga ajo e ka vënë Kosovën në skenën e sukseseve globale. Kujtoni nominimin e filmit “Shok” në “Oscars” dhe të shumë filmave të tjerë më shumë çmime ndërkombëtare, përfaqësimet në Bienalen e Venecias, performancat e Baletit të Kosovës, medaljet olimpike e shumë të tjera nga Majlinda, Distria, etj. Andaj, nuk mundet kultura të sakrifikohet për këto pazare politike të koalicionit “të shpresës”. Pastaj sporti me shëndetësi – çfarë i lidh? Përveç thënies “Mendja e shëndoshë në trup të shëndosh” nuk kujtoj se brenda një dikasteri si shëndetësia me problematikat dhe nevojat më të theksuara në vend do t’i vijë fokusi dhe rendi sportit e sportistëve kosovarë. Sportin në shumë ministri të rajonit e gjejmë pikërisht te Ministria e Arsimit si “Edukatë Fizike” që është diçka e domosdoshme dhe lidhet me arsimimin tonë të përgjithshëm, por edhe për të tjerët që duan ta shtyjnë veten dhe limitet e veta në këtë fushë dhe ta kenë profesion të jetës. Po rinia, ku mbeti rinia? 60% e popullatës së përgjithshme është nën moshën 35-vjeçare, një masë vitale e shoqërisë e cila në bisedat për koalicionin është e parëndësishme. Jam pajtuar ndër vite me idenë që stafi politik nëpër ministri duhet të jetë më i vogël dhe që Kosova duhet të ketë më pak ministri. Por nuk pajtohem te jemi pa Ministri të Kulturës. Edhe Shqipëria i ka 12 ministri dhe e ka Ministrinë e Kulturës si njësi të vetme.

Zëri: Pra sipas jush është e domosdoshme që kultura ta ketë institucionin e vet e jo të jetë dikaster i Ministrisë së Arsimit apo i ndonjë ministrie tjetër?

E përmenda edhe më herët që për shkak të fushës së gjerë të veprimit është diskutuar edhe më herët në skenën kulturore që duhet të ndiqet një model jo vetëm i rajonit, por edhe shumë vendeve evropiane ku Ministria e Kulturës vepron si Ministri e vetme. Andaj nevoja për rimendim e riformatim ka qenë në diskutim civil.  RRIPAK-u që nga 3  dhjetori ka lëshuar në qarkullim një komunikatë në lidhje me këtë, por veprimet e vonshme që MKRS-ja të zhbëhet dhe Kultura të jetë një departament brenda një ministrie tjetër është tjetërsim e sakrificë që Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes. Aq më pak për ta ngarkuar Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë me të gjitha problemet dhe sfidat që ajo ka në fushat që mbulon, imagjinojeni se çfarë fokusi do të ketë kultura nëse futet brenda saj. E njëjta vlen edhe për sportin. Rinia?! “Young Europeans” pa Ministri të Kulturës.

Zëri: Nëse ndodh kjo, si mendoni se do të ndikojë në skenën kulturore?

Si e para artistët do të jenë pa adresë, bashkë me sportistët e qe besa edhe me rininë. Institucionet, të cilat janë nën ombrellën e MKRS-së, po ashtu do t’i kenë problemet e veta sepse ato varen nga ajo. Komplet korniza ligjore e këtyre institucioneve duhet të ndryshojë, gjë që kërkon kohë por edhe prioritet e në fazën që po kalon Kosova me prioritetet e tjera në fushën e politikës së jashtme nuk kujtoj se kultura do të jetë në planin e parë. Ligji për Sponsorizime i miratuar rishtazi, i cili mundëson që skena kulturore e pavarur dhe sportistët e klubet të kenë më shumë mundësi përkrahëse nga bizneset lokale po ashtu duhet të amendamentohet dhe me këtë lë pezull më së shumti skenën e pavarur kulturore, por edhe shumë klube e sportistë. Më pas ku po mbetet trashëgimia kulturore? Po e drejta autoriale? Po diplomacia kulturore dhe industritë kreative? Unë kujtoj se në fazën e takimeve për harmonizimin e programeve të të dy pjesëmarrësve potencialë për të krijuar qeverinë ende kishte MKRS dhe këtë ia kishin deleguar minoriteteve gjë që po ashtu krijoi një në opinion, por gjatë procesit si duket vijmë në pikën kur për interesa të ngushta sakrifikohet pikërisht kjo Ministri, e cila ekziston që nga paslufta. A i ka matur dikush ndikimet negative që mund t’i ketë? Apo edhe ato pozitive, meqë po flasim që ta kuptojmë drejt situatën dhe implikimet në të ardhmen. Nuk guxojmë të lejojmë që për nevoja momentale partiake të preket dimensioni më vital i një shoqërie siç është kultura.Zëri