Filmi shqiptar 'The News' triumfon në Australi

Filmi shqiptar 'The News' triumfon në Australi

Kultura January 21, 2020 - 11:38
Image

Në Sidney të Australisë këtë vit u mbajt edicioni i 29-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër, “Flickerfest”. Në këtë festival, i cili mbahet çdo vit në janar në “Bondi Beach” të Sidney, triumfoi filmi “The News” (“Lajmi”), i regjisorit Lorin Terezi. “The News” i regjisorit shqiptar Lorin Terezi ka fituar çmimin e parë si filmi më i mirë i festivalit “Flickerfest” pas premierës botërore që pati në Australi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Festivali “Flickerfest” është i akredituar dhe konsiderohet si fazë seleksionuese për çmimet “Oscar” dhe “Bafta”. “The News” është filmi i metrazhit të shkurtër, për temën e të cilit regjisori ishte inspiruar nga realiteti i dhunshëm mediatik, atë me të cilin përballemi çdo ditë. Skenari i filmit është shkruar nga Lorin Terezi njëherësh që është dhe producent i filmit dhe nga Anila Balla. Është distribuuar nga kompania distributuese e filmave “Mailuki Films” (Spanjë) dhe financohet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

Në një intervistë të mëhershme për “Zërin” regjisori Lorin Terezi ishte shprehur mirënjohës dhe i lumtur për bashkëpunimin me këtë kompani, e cila njihet në industrinë e filmave. Sipas tij, distributori i filmit është një komponent shumë i rëndësishëm për rrugëtimin e filmit në festivale. Filmi “The News” është xhiruar ne fshatin Shën Gjergj, me pjesëmarrjen e banorëve të të gjithë fshatit. Në rolet kryesore luajnë: Albuena Kryeziu-Bokshi, Bilbil Kasmi, Mirjana Deti, Besnik Ferra, Pëllumb Dervishi, të cilët kanë bërë një punë të mrekullueshme siç kishte theksuar dhe regjisori se kjo histori nuk do të funksiononte pa një interpretim natyralist të aktorëve.Flickerfest” është festivali më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Australi. Ai ka një pjesëmarrje ndërkombëtare me mbi 3000 filma nga e gjithë bota. Këtë vit Shqipëria u rendit e para mes shumë shteteve pjesëmarrës. Filmi “The News” (“Lajmi”)  kishte njëkohësisht shfaqjen e parë jashtë Shqipërisë. Filmi mori çmimin “Best International Short” që është ekuivalent i çmimit të parë. Ky është filmi i dytë i shkurtër i Lorin Terezit me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Me këtë çmim “Lajmi” vazhdon automatikisht rrugën për në “Oscars” dhe për në “Bafta”. Zëri