Aktorët kërkojnë restaurim e jo shembje të Teatrit të Tiranës

Aktorët kërkojnë restaurim e jo shembje të Teatrit të Tiranës

Kultura February 28, 2020 - 10:31
Image

Në një deklaratë të shpërndarë në “Facebook” Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u shpreh se tërheqja e kryebashkiakut Erion Veliajt dhe e kryeministrit Edi Rama “mbyll me turp historinë me ligj special”, me të cilin kërkohej të grabitej trualli publik e privat përreth teatrove kombëtare. Aktivistët e Aleancës theksojnë se teatri duhet restauruar dhe jo shembur. Një kërkesë e tillë u mbështet një muaj më parë edhe nga “Europa Nostra”, organizata më e madhe që merret me ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Evropë. “Ky ligj, i shkruar apostafat për një truall të vetëm dhe për një firmë të vetme, ishte një çmenduri ligjore, që shkelte jo vetëm kushtetutën e vendit, por edhe të gjitha parimet e shtetit ligjor në një vend demokratik. Tërheqja e Bashkisë nga ‘ligji special’ dhe kërkesa e saj për të kryer një investim të zakonshëm publik konfirmon se ‘ligji special’ ishte antikushtetues dhe një problem i rëndë për Qeverinë dhe për Bashkinë. Ky ligj kishte si synim vetëm grabitjen e truallit publik e privat përreth teatrove kombëtare”, thotë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Kjo aleancë përmes një deklarate pohon se falë insistimit të vazhdueshëm të saj dhe mbështetësve të tyre prej thuajse dy vjetësh problemi i “ligjit special” u kthye në një gangrenë të vazhdueshme për Qeverinë dhe për Bashkinë. “Ruajta e pronave publike përreth teatrove kombëtare evitoi dëme ekonomike dhe urbanistike për publikun. Tërheqja e ‘ligjit special’ e bën të pamundur grabitjen e truallit. Investimi nga fondet publike konfirmoi dhe një herë se shqiptarët nuk janë të varfër, por të vjedhur. Investimi për restaurimin e Teatrit mund të përballohej me kohë nga buxheti publik e nuk kishte nevojë për artifica të dëmshme ligjore, siç ishte ‘ligji special’. Insistimi i Aleancës për marrjen e informacionit publike rreth tenderit, tashmë të dështuar, ishte më se i drejtë dhe Bashkia ka shkelur prej muajsh Ligjin për Informim Publik”, vijon deklarata.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shpreh qëndrimin e saj për restaurimin e Teatrit Kombëtar, një proces që duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. “Investimi publik për teatrot kombëtare duhet të ketë synim të qartë ruajtjen e restaurimin e tyre dhe aspak shembjen, qoftë edhe me fonde publike. Ky proces duhet të jetë publik, transparent, e gjithëpërfshirës. Mbi të gjitha, ky proces duhet të drejtohet nga ekspertë e duhet mbajtur larg duarve të politikanëve. Vetëm kështu mund të gjendet mënyra më e mirë për ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore që mbart kompleksi, siç u pranua tashmë dhe nga ‘Europa Nostra’”, thuhet më tej në deklaratë.

Prej vitit 2018 qytetarë, aktivistë dhe artistë janë angazhuar në protesta të pandalshme për të kundërshtuar shembjen dhe tjetërsimin e Teatrit Kombëtar. AMT-ja u shpreh se “kjo qëndresë qytetarësh tregoi se rezistenca dhe bashkimi funksionojnë”.Zëri