'Cineplexx'-i mirëpret filmin 'Cirku fluturues'

'Cineplexx'-i mirëpret filmin 'Cirku fluturues'

Kultura March 12, 2020 - 08:02

 

"Cineplexx"-i mirëpret filmin "Cirku fluturues"

Filmi “Cirku fluturues”, i regjisorit Fatos Berisha, do të jetë pjesë e programit të kinemasë “Cineplexx” që nga dita e sotme. Filmi i parë i metrazhit të gjatë nga regjisori Fatos Berisha do të shfaqet në pikat e kësaj kinemaje në Prishtinë, si dhe në Prizren. Ky film pati premierën e tij të mbyllur mbrëmë. Mes dashamirëve të artit e të miqve të regjisorit dhe ekipit filmi u ekranizua për herë të parë para publikut kosovar. Në konferencën për medie, që i parapriu kësaj premiere, regjisori Fatos Berisha u shpreh i lumtur që më në fund filmi i tij po prezantohet edhe para audiencës sonë. “Cirku fluturues” është një komedi e zezë, e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta të një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. “Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topië. Ndërsa në rolet dytësore luajnë: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumoviq, Krist Lleshi etj. Producente e filmit është Vjosa Berisha, kurse bashkëproducentë janë: Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka dhe Fatos Berisha. Pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga drejtori i fotografisë Almir Ðikoli, montazheri Vladimir Pavlovski, disenjatori i setit Arben Shala, kompozitori Ognen Anastasovski, si dhe kostumografja Desantila Lika.

Përveç “Cirkut fluturues”, kinemaja “Cineplexx” me pikat në “Veternik” të Prishtinës dhe në Prizren vazhdimisht po shfaq filmat vendorë. Se publiku kosovar po i mirëpret krijimet kinematografike kosovare po e dëshmon numri i biletave që po shiten në këtë kinema. Zyrtarët e kësaj kinemaje deklarojnë se filmat vendorë pothuajse u bëjnë konkurrencë atyre ndërkombëtarë sa i përket shikueshmërisë.

Filmi “Cirku fluturues” ka pasur premierën botërore në njërën prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, në Tallin të Estonisë. E pas kësaj filmi i Berishës u vlerësua edhe para publikut italian. Nga Italia nuk u kthye pa trofe. Filmi “Cirku fluturues”, nga Fatos Berisha, ka fituar çmimin për filmin më të mirë të huaj të metrazhit të gjatë në Itali në garën “Fabrique du Cinema Awards”.