“Autostrada Biennale” prezanton kuratoret e edicionit të tretë, i cili nis në verën e 2021-s

“Autostrada Biennale” prezanton kuratoret e edicionit të tretë, i cili nis në verën e 2021-s

Kultura June 15, 2020 - 10:12

Bienalja ndërkombëtare e artit bashkëkohor “Autostrada Biennale” ka prezantuar Ovul O. Durmusoglun dhe Joanna Warszan nga Berlini si bashkëkuratore për edicionin e tretë të kësaj ngjarjeje, e cila do të mbahet nga korriku deri në shtator të vitit 2021 në Kosovë.

Ekipi i “Autostrada Biennale”-s ka njoftuar se kjo ngjarje nuk do të shtyhet, por do të mbahet gjatë verës së vitit 2021.

Për më tepër, potencohet se bienalja do të trajtojë drejtpërdrejt atë se sa na ka bërë pandemia të mendojmë për qytetet tona, hapësirat përreth nesh, kujt do të mundë t’i rikthehemi, çfarë mund të lëmë pas dhe sa i nevojshëm është arti në kohë pasigurie.

“Jemi të lumtur dhe krenarë të njoftojmë se Ovul O. Durmusoglu dhe Joanna Warsza do të na marrin me vete përgjatë këtij udhëtimi si bashkëkuratore të edicionit të ardhshëm të bienales”, thuhet në njoftimin për medie të “Autostrada Biennale”-s.

“Autostrada Biennale” filloi nga vendlindja e saj, Prizreni, në vitin 2014 (edicioni i parë në 2017-n), e themeluar nga një ndjenjë e mungesës, e nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe hapjes ndaj botës. Ajo u formësua si një pikë lidhëse dhe si një rrugë në hartën e Ballkanit Perëndimor.

“Pandemia na ka bërë që ta rimendojmë modelin e bienales dhe për këtë ne jemi shumë entuziastë për të qenë partnerë me dy kuratore të pavarura, të cilat do të punojnë edhe më tej me identitetin tonë: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur”, potencohet në njoftimin për medie.

“‘Autostrada Biennale’, një organizatë e re e themeluar nga artistë dhe pedagogë në vendlindjen e tyre, Prizren, na dërgon në një udhëtim të jashtëzakonshëm”, shkruajnë Ovul O. Durmusoglu dhe Joanna Warsza.

“Sot është koha për të imagjinuar një tjetër të nesërme: si të ndërtojmë ura arti përtej ekraneve dhe kubeve të bardha në publik; si të vazhdojmë të jemi kureshtarë; si të gëzohemi dhe si të bashkëndiejmë; si të jemi të afërt me artin dhe artistët; si të praktikojmë qasjen translokale; si ta përqafojmë shqetësimin për të ardhmen e paparashikueshme dhe të ëndërrojmë përtej saj. Udhëtojmë me ‘Autostrada Biennale’ në një rrugë drejt rrjeteve komplekse të ndërvarësisë mes vete dhe me jetë të tjera, me të cilat e ndajmë planetin. ‘Autostrada Biennale’ do t’u përgjigjet rrethanave dhe peizazhit politik, do të dërgojë sinjale tymi nga këtu - atje, do të prodhoj kënaqësi të përbashkët përmes mësimit dhe veprimit asimetrik. Ne jemi më shumë se të ngazëllyer për të ndërmarrë këtë udhëtim, duke filluar nga Prizreni, një nga qytetet më multietnike dhe multikulturore të Evropës”, kanë theksuar më tej dy kuratoret e këtij edicioni të “Autostrada Biennale”-s.

Ovul O. Durmusoglu është kuratore e pavarur dhe shkrimtare, profesoreshë e angazhuar dhe bashkudhëheqëse e programit në “Graduate School” në UdK në Berlin dhe profesoreshë e angazhuar në HfBK në Braunschweig. Ajo vepron në mes të krijimit të ekspozimit dhe programimit publik, gjuhëve të rralla dhe energjive kolektive, zhytjeve të zakonshme dhe kozmologjive politike.

Ovul ka qenë kuratore në Steirischer Herbst; ka bashkëkuruar seksionet e ndryshme të “Istanbul Biennial”-it në edicionin e 10, 13 dhe 14; dhe ka organizuar programe publike për dokumente (13). Është me origjinë nga Ankaraja dhe jeton në Berlin.

Joanna Warsza është drejtoreshë e programit “CuratorLab” në universitetin e arteve “Konstfack” në Stokholm, kuratore e pavarur dhe redaktore e interesuar për mënyrën sesi funksionon arti në aspektin politik dhe social jashtë kubeve të bardha. Ajo ishte drejtoreshë artistike e “Public Art Mynih” më 2018-n, kuratore e pavijonit të Gjeorgjisë në Biennalen e 55-të të Venedikut dhe kuratore e asociuar e Biennales së 7-të të Berlinit dhe redaktore e disa librave. Është me origjinë nga Varshava dhe jeton në Berlin.

Në prill të vitit 2020 Ovul dhe Joanna iniciuan ekspozitën “Die Balkone: Life, Art, Pandemic and Proximity” në dritare dhe ballkone të rrethit Prenzlauer Berg të Berlinit, ku të dyja edhe jetojnë.

“Autostrada Biennale” do të prezantohet në verën e vitit 2021 në të dyja format, atë analoge dhe digjitale.