Infektuar: 15472
Shëruar: 13278
Vdekur: 622
Dhjetëvjetori i vdekjes së Bekim Fehmiut, Dumoshi: Kujtimi për të do të jetë i përhershëm

Dhjetëvjetori i vdekjes së Bekim Fehmiut, Dumoshi: Kujtimi për të do të jetë i përhershëm

Kultura June 15, 2020 - 11:49

Me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiut ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e ka kujtuar dhe nderuar figurën e yllit me famë botërore.

“Sot bëhen dhjetë vjet nga vdekja e Bekim Fehmiut, aktorit shqiptar me famë botërore, i cili la gjurmë në kinematografinë botërore e shqiptare. Bekimi me talentin e tij të pashembullt në aktrim arriti të depërtojë në skenën ndërkombëtare të filmit.

Numri i roleve në të cilët ka luajtur ai është shumë i madh. Në secilin rol që është angazhuar Bekimi i ka dhënë vlerë të shtuar secilit film dhe përkushtimi e angazhimi me shpirt në secilin rol që ka jetësuar e kanë bërë të famshëm Bekimin, me të cilin jemi rritur, jemi gëzuar, jemi emocionuar e kemi qenë dhe do të jemi përherë krenarë.

Mbeten të paharruara performancat e tij filmike në ‘Mbledhësit e Puplave’, ‘Odissea’, ‘Aventurieri’ e shumë e shumë projekte të tjera, të cilat mbeten kryevepra të kinematografisë.

Unë si ministre dhe institucioni të cilin e udhëheq e përkujtojmë dhe e nderojmë figurën e Bekim Fehmiut dhe ndihemi jashtëzakonisht keq që për shkak të rrethanave të pandemisë COVID-19, nuk mund ta shënojmë përvjetorin e tij të vdekjes ashtu siç e meriton Bekim Fehmiu me trashëgiminë që la pas. Organizimi i ndarjes së çmimit, i cili është i përcaktuar me rregullore, do të bëhet në një formë tjetër ditëve në vijim.

Ne e kujtojmë me pietet dhe nuk do të harrojmë kurrë Bekim Fehmiun, një artist kaq të madh, që popujt do të ëndërronin ta kishin.

I paharruar do të jetë emri i tij dhe ne do ta kujtojmë, vlerësojmë dhe nderojmë gjithmonë figurën dhe emrin e të madhit Bekim Fehmiu”, thuhet në një komunikatë për medie.