Beyonce: Votoni sikur jeta jonë të varej nga kjo, sepse edhe ashtu është

Beyonce: Votoni sikur jeta jonë të varej nga kjo, sepse edhe ashtu është

Kultura June 29, 2020 - 12:19

Një nga pikat kryesore të së dielës në “BET Awards”, ishte Beyonce që fitoi Çmimin prestigjioz Humanitar.

Ishte Michelle Obama ajo që ia ndau çmimin superyllit, e cila është edhe mike me ish-zonjën e parë.

Obama e vlerësoi Beyoncen për pasionin, arritjet dhe aktivizmin e saj.

“Për ‘vajzën’ time, thjesht dua të them që më frymëzon”, “Na frymëzon të gjithë ne”, tha Obama, transmeton Zeri.info.

Beyonce ia kushtoi çmimin e saj të gjithë atyre që kanë marshuar në mbështetje të barazisë racore.

“Zërat tuaj po dëgjohen dhe po u dëshmoni paraardhësve tanë se luftërat e tyre nuk ishin të kota”, tha ajo në një fjalim pranimi të regjistruar paraprakisht. “Tani ne kemi edhe një gjë tjetër që duhet të bëjmë për ta treguar fuqinë tonë të vërtetë, dhe ajo është të votojmë”.

“Ju inkurajoj që të vazhdoni të veproni. Vazhdoni të ndryshoni dhe zhvishni sistemin racist dhe të pabarabartë”, theksoi ajo, raporton CNN.

“Duhet të votojmë sikur jeta jonë varet nga kjo, sepse kështu edhe është”, shtoi ajo.

Këngëtarja dhe aktorja u përzgjodh për këtë mirënjohje për shkak të iniciativës së saj “BeyGOOD”, përmes së cilës ajo ka krijuar disa fondacione bursash dhe fondacione filantropike.

Kohët e fundit, në përgjigje të pandemisë Covid-19, Beyonce u bashkua me nënën e saj, Tina Knowles Lawson, për iniciativën e testimit mobil #IDIDMYPART, duke mbështetur komunitetin me ngjyrë në Houston, që janë ndikuar në mënyrë disproporcionale nga pandemia.

Beyonce gjithashtu ndau para për t’i mbështetur organizatat në terren që janë duke punuar për të përmbushur nevojat e shëndetit fizik dhe mendor të atyre që kanë më së shumti nevojë.

Bëmat e saja të mira vazhduan edhe për “Juneteenth”, pas publikimit të këngës së saj të fundit, “Black Parade” apo “Parada e Zezë”, me krijimin e Fondit për Bizneset e personave me Ngjyrë “BeyGOOD”, të administruar nga Lidhja Nacionale Urbane, për të mbështetur bizneset e vogla në pronësi të njerëzve me ngjyrë.

E themeluar për të ofruar mbështetje për komunitetin me ngjyrë, BET feston edhe 40 vjetorin e ekzistencës se saj ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve shënoi përvjetorin e 20-të. /Zëri