Në Shkup promovohet romani “Udhëkryqi” i Ramadan Rexhepit

Në Shkup promovohet romani “Udhëkryqi” i Ramadan Rexhepit

Kultura October 07, 2021 - 16:05

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (TSHKSH) në Shkup u promovua romani UDHËKRYQI i shkrimtarit Ramadan Rexhepi, botuar nga AGORAPRINT e Shkupit. Me këtë rast, drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, faleminderoi shkrimtarin Ramadan Rexhepin për prezencën e tij në këtë promovim, dhe nënizoi se vlerat që mbart në vete romani i tij që po promovohet i karakterizon pasioni i autorit për të gjurmuar thellësinë e problematikave e ngjarjeve nëpër të cilat kalonin shqiptarët në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë. Një autori i si Ramadan Rexhepi, tha Asani, është modeli i shkrimtarit të përkushtuar ndaj letrarizimit të tematikës kombëtare në një vepër konkrete, siç është romani UDHËKRYQI.

Ramadan Rexhepi po i (ri)kthehet lexuesit

Për rëndësinë e botimit të kësaj vepre në Shkup, foli botuesi Emin Azemi, i cili potencoi se vlera e një shkrimtari matet me prurjet dhe risitë që sjell në veprën e tij, kurse një botues do të vlerësohet për sensin e përzgjedhjes së veprave që do t’i botojë.

Jam munduar që këtë parim ta zbatoj para se të vendosja ta botoja romanin UDHËKRYQI të shkrimtarit tonë disident Ramadan Rexhepi, vepra e të cilit ende ndodhet e shpëndarë nëpër fajle dhe dorëshkrime të autorit. Ky roman, të cilin po e promovojmë sot, ka një histori interesante, siç janë interesante të gjitha ngjerjet që shënojnë një epokë. Në epokën e letrave shqipe, Ramadan Rexhepi, ka qenë një yll i cili ka shndërritur nga një largësi e madhe gati kosmike, për shkak të rrethenave që kaloi autori dhe vepra e tij, e cila nuk arriti të komunikoj në parametra normal me lexuesin atëherë kur ajo u shkrua. Kështu ndodhi edhe me romanin UDHËKRYQI , i cili pati një trajektore të gjatë zhvillimi, por nuk e pati komunkimin e duhur me lexuesin, për shkak të statusit të vet shkrimtarit, i cili nuk e gëzonte lirinë e plotë të etablimit në atmosferën krijuese të kohës në Kosovë.”, tha Azemi.

Vlera kryesore e romanit “Udhëkryqi” është gjuha poetike

Këtë roman, Ramadan Rexhepi nisi ta shkruajë që në vitin 1957 dhe vazhdoi me vite të tëra, duke e rimarrë e përpunuar disa herë. E botoimë 2010, me titullin ”Stina e emrave të bukur ”. Dorën e fundit i dha në shtator të vitit 2018, duke kthyer dhe titullin e fillimit “Udhëkryqi”, tha studiuesi dhe shkrimtari Anton Nikë Berisha. Sipas tij ajo që bën vlerën kryesore të romanit “Udhëkryqi” është gjuha poetike, është teksti poetik përmes të cilëve Ramadan Rexhepi e ndërtoi botën e veprës së vet, duke i kushtuar kujdes sistemit shprehës poetik: shprehjeve, fjalive dhe pjesëve më të mëdha, nga dalin dhe shpërfaqen mendime të shumta.

“Në roman, siç veproi dhe në tregimet dhe novelat e botuara më 1963, shkrimtari Ramadan Rexhepi i dha përparësi artit, të bukurës përmes të cilave i shqiptoi dukuritë e botës, po dhe tundimet dhe gjendjen e rëndë shpirtërore të tij e të njerëzve të tij. Ai ishte i vetëdijshëm se arti i mirëfilltë i fjalës e pasuron njeriun shpirtërisht dhe e fisnikëron dhe e bën atë më të qëndrueshëm përballë vështirësive të jetës së përditshme. Duke e parë në këtë rrafsh romanin “Udhëkryqi” mund të thuhet pa asnjë dyshim se ai bën kryeveprën poetike të Ramadan Rexhepit”, nënvizoi prof. Berisha.

Romani UDHËKRYQI , një vepër epope

Duke folur për vlerat estetike të kësaj veptre, prof.dr. Nehas Sopaj, tha se ngjarjet e romanit UDHËKRYQI zhvillohen në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar, kurse ambienti ku i lokalizon shkrimtari ngjarjet, janë Presheva, Kumanova, Gjilani dhe Shkupi, ambienti i Karadakut i cili qindpërqind paraqet kronotopin e temës: udhëkryqi veri – jug, lindje – perëndim me ngjarjet ndër më dramatiket historike shqiptare të kohës së shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi nga trojet e tyre etnike, nën thundrrën e egër çetnike.

“Romani është një ndër veprat epope që merret me aspekte të ndryshme të jetës së përditshme dhe ndriçon fatkeqësitë e shqiptarëve ushtruar nga pushtuesi serb në një periudhë kohore kur ky dhunues historik i bën krimet duke i përmbuluar ato me vellon e Jugovinës, gjegjësisht duke mos i përmendur serbët. Duke qenë i këtillë, romani merret me jetën e përditshme dhe të gjithanshme të popullit, merret me çështje të ndryshme të asaj rezistence të shqiptarëve, përshkruan mentalitetin e Karadakut me veçoritë e ndryshme të tij socio-linguistike të këtij rajoni”, vuri në dukje prof. Sopaj.

Ramadan Rexhepi, model i tregimtarit modern

Mbi bashkëpunimin dhe raportet e tij profesionale me shkrimtarin Ramadan Rexhepi, foli poeti dhe botuesi nga Gjilani, Sabit Rrusemi. Ai tha se fati i romanit Udhëkryqi i sapobotuar në Shkup ka fatin e njejtë me atë të popullit shqiptar në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë, e njohur si “koha e Rankoviqit”. Sipas Rrustemit, shkrimtari Ramadan Rexhepi është një nga zërat më utentik në letrat shqipe, duke veçuar me këtë rast përmbledhjen me tregime “Kumbonaret”, e cila në kohën kur u botua, në vitin 1963, paraqiste një kthesë në mënyrën etë shkruarit të prozës shqipe. Sabit Rrustemi tregoi se meritor për ta njohur Ramadan Rexhepin ishte poeti Beqir Musiu, i cili me një rast i kishte thënë se nuk mund të shkruash tregime pa e lexuar librin “Kumbonaret” të Ramadan Rexhepit.

Në këtë promovim u lexuan edhe disa fragmente nga romani “Udhëkryqi”, të cilat i deklamoi me një ndjeshmëri të lartë artistike Xhezide Selimi.

Qysh shkruhet një roman që s’ka shansë të botohet askund?

Vëmendjen e të pranishmëve në këtë promovim e tërhoqi fjala e e autorit Ramadan Rexhepi, i cili tha se fjala “udhëkryq” në kuptimin e figurshëm ka kuptimin e gjednjes ku qëndrojmë aty ku kryqëzohen dy rrugë ose dy botëkuptime dhe duhet të vendosim se ç’drejtim do të marrim. Unë vendosa ta përdor këtë fjalë si udhëkryq të kombit, nënvizoi autori.

Ai në vazhdim tregoi se si ka lindur ideja për të shkruar këtë roman.

“Dëshira për ta shkruar romanin “Udhëkryqi” më lindi papandehur, dhe atë, para se të merresha me krijime letrare. Jo se s’dija të shkruaja, por sepse isha nxënës dhe shoqëria që më kishte dërguar në shkollë, nuk më kishte dërguar për të shkruar romane, por për të mësuar si jepet mësim… Fatlumnisht, për të shkruar një liber mbi ata që s’ishin vrarë në luftë dhe ishin katandisur nëpër burgjet jugosllave, s’kisha nevojë të lexoja libra. Ata ishin rritur në lagjen time, ata I dija me emër e mbiemrër dhe, vit pas viti, merrja ndonjë lajm mbi vuajtjet e tyre… Miqë të dashur! Kështu ndodhi që unë, një normalist i sapodalë nga bankat e shkollës, fillova të pyes veten se qysh shkruhet një roman që s’ka shansë të botohet askund. Të paktën jo në Jugosllavinë e atij të madhit…Shokut Tto…kjo që kisha shkruar nëpër fletore ishte e ndaluar. Romani si ai që doja ta shkruaja, s’guxonte as të shkruhej, as të lexohej. Jo më të botohej…Kështu shkela në një udhëkryq krijimtarie”, shpalosi këtë pjesë të kujtimeve të tij shkrimtari Ramadan Rexhepi, që ndërlidhesdhin me parahistorinë e të shkruarit të romanit të tij “Udhëkryqi”.

Në vazhdim shkrimtari Ramadan Rexhepi tha se libri që po ua vëmë në dorë sot lexuesve ishte i ndaluar të shkruhej dikur. Këtë liber s’duhej ta lexonin shqiptarët. Jam fort i lumtur që sot, shqiptarët e rinj mund të lexojnë mbi të shkuarën e tyre për pa i burgosur e keqtrajtuar njeri, u shpreh ai.

Romani “Udhëkryqi” i shkrimtarit Ramada Rexhepi shënon edhe startin e shtëpisë botuese AGORAPRINT nga Shkupi, kurse botuesi Emin Azemi shpreson se në të ardhen do të ruaj standardet dhe kriteret e botimit të vendosura me këtë vepër të rëndësishme të letërsisë shqipe.

Kush është Ramadan Rexhepi?

Ramadan Rexhepi u lind më 6 dhjetor 1940 në Preshevë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje. Në vjeshtën e vitit 1959 u punësua si arsimtar i frëngjishtes në Preshevë. Një vit më vonë filloi t’i shkruajë kapitujt e parë të ”Udhëkryqit” të cilët më vonë do t’i ndryshojë rrënjësisht.

Tregimin e parë “Letër vajzës bonjare” e shkroi në moshën njëzet vjeçare (më 1960) , ndërsa tri vjet më vonë (më 1963) e botoi përmbledhjen me tregime e novela “Kumbonaret”.

Në pranverën e vitit 1961 mori pjesë me tregimet ”Kostandina” dhe ”Mal e kishte emrin” në konkursin për tregime të shkurtër, të cilin e kishin shpallur ”Rilindja” dhe ”Zëri i Rinisë.”

Në nëntor të vitit 1963 niset për në Suedi. Aty fillon ta përkthejë tragjedinë e August Strindbergut ”Zonjusha Zhulí” dhe ta rishikojë e përshtatë dorëshkrimin e ”Udhëkryqit” në gjuhën letrare, që tani po ribotohet edhe në Shkup. Në vjeshtën e vitit 1973 ”zbret” në Malme. Gjatë kësaj kohe ai mban shënime të rregullta me titull pune ”Qorrsokaku” të cilat do t’i botojë nëpër faqet elektronike me titullin ”Pulëbardha krahthyer”.

Në dhjetor të vitit 1978, fillon t’ i shkruajë kapitujt e parë të romanit me titullin ”Populli pa Zot”.

Gjatë periudhës 1985 – 1990 me forca të veta e mbajti gjallë emisionin ”Radio Zëri i Kosovës”. Përkrahu me gjithë shpirt forcat që punonin për çlirimin e popullit shqiptar nga robëria serbe . Këtë angazhim të tij mund ta gjejmë te romani ”Dilemat e Emrush Dokos” (1991) dhe në kujtimet e tij ”Gjurmë e gjemba” (2003).

Sapo e ka përfunduar novelën ”Lezetqendra e Sali Babës”. Një tjetër punim më të gjatë që e ka shkruar, por ende nuk e ka mbaruar është ”Shin d’Abati nga Fa-jaka”. Disa fragmente të këtij romani për të rinj i ka botuar me titullin ”Përjetimet e pashmangshme të Shin Dabatit”. “ZOTI KA TJETËR EMËR”, është romani i tij më i ri.