Pas dy vjetësh ndërprerje, hapet sot edicioni i 22-të i Panairit të Librit

Pas dy vjetësh ndërprerje, hapet sot edicioni i 22-të i Panairit të Librit

Kultura June 07, 2022 - 09:00

Pas dy vjetësh, sot hapet edicioni i 22-të i Panairit të Librit në ambientet e Pallatit të Rinisë, i cili  organizohet nga Shoqata e Botuesve e Kosovës. Organizatoret e panairit kanë bërë të ditur se në panair do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, me rreth 2 mijë tituj të rinj.

Kosovës për dy vjet radhazi i ka munguar Panairi i Librit si pasojë e pandemisë. E sot me moton “Libri mbron mendjen” do të hapet edicioni i 22-të i Panairit të Librit, i cili mbahet në ambientet e Pallatit të Rinisë, që organizohet nga Shoqata e Botuesve e Kosovës. Organizatori i këtij panairi, Edon Zeneli, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se ky panair do të jetë panairi me i madh që është organizuar ndonjëherë në trevat shqiptare, ku pjesëmarrës në këtë edicion do të jenë rreth 100 botues.

 “Në këtë panair do të marrin pjesë mbi 100 shtëpi botuese. Realisht i bie që është panairi më i madh i organizuar ndonjëherë në trevat shqiptare në termat e botueseve pjesëmarrës. Në asnjë panair tjetër nuk kemi një grumbullim kaq të madh të të gjithë botueseve, duke filluar nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe diaspora”, tha ai.

Po ashtu, Zeneli tha se përveç titujve të shumtë që ofron ky panair për të gjitha moshat, vizitorët do të kenë mundësinë që librat t’i blejnë me një çmim me të ulët.

 “Ky është një numër i jashtëzakonshëm. Në asnjë panair nuk ka pasur kaq shuam tituj të librave. Po ashtu në këtë panair për aq ditë sa do të zgjasë vizitorët do të gjejnë librat për të gjitha moshat në një vend dhe njëkohësisht gjatë këtyre ditëve qytetarët mund t’i blejnë librat me një çmim me të leverdishëm”, tha ai.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40.000 vizitorë. Ndërsa aty do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.

Ceremonia e hapjes së panairit bëhet më 7 qershor, në orën 12:00 dhe do të jetë i hapur deri me datë 12 qershor. Vizitorët panairin do të kenë mundësinë ta vizitojnë çdo ditë nga 9:00-20:00.