Kurti për “Manifesta”: Jam krenar që ajo po mbahet në Prishtinë
Foto: Laura Hasani

Kurti për “Manifesta”: Jam krenar që ajo po mbahet në Prishtinë

Kultura July 22, 2022 - 23:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes zyrtare të bienales evropiane të artit bashkëkohor “Manifesta 14”, që po mbahet në kryeqytetin e Prishtinës dhe e cila do të zgjasë 100 ditë.

Kryeministri Kurti tha se sonte është shumë i lumtur që gjendet në mesin e tyre, në hapjen e kësaj ngjarjeje madhështore për Kosovën, duke shpresuar që t'ju japë atyre një mirëseardhje të madhe.

“Kur Prishtina u zgjodh si qyteti pritës, pas disa muajsh bashkëpunimi intensiv, u mahnita kur pashë se si Manifesta arriti të zbulojë pikërisht këtë frymë të popullit tonë. Prandaj jam plotësisht i bindur sot, se në 100 ditët në vijim përmes Manifestës do ta shohim Kosovën të shpaloset në formën e saj më të mirë dhe duke shkëlqyer. Jam i sigurt se në një mënyrë apo tjetër do t'ju pëlqejë shumë qyteti im, Prishtina. Prandaj, përgatituni të magjepseni’’, u shpreh kryeministri Kurti.

Ndër të tjera ai tha me tej se Prishtina gjithmonë ka qenë një qytet vibrant dhe kreativ dhe se edhe në ditët më të vështira të saj e më të rrezikshme për shqiptarët, duke iu referuar viteve të '90-ta, gjithnonë ka pasur një jetë kulturore underground.

Por për Kurtin të kesh një bienale ndërkombëtare në një kryeqytet e bën çdo kryeministër krenar. Sipas tij, komuniteti kulturor i Kosovës përfiton duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi.

Në anën tjetër kryeministri Kurti tha se 100 ditët e “Manifesta”-s do të jenë frymë e freskët dhe pamje dhe vështrim i bukur për qytetarët e vendit tonë, derisa shtoi se kemi shumë për të mësuar nga kolegët tanë evropianë e po ashtu edhe Kosova ka shumë për të dhënë në këmbim.

“Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti i ftoi të gjithë që tani, pas 14 vitesh pavarësi, ta shijojmë së bashku Manifestën 14”, thuhet në njoftim. /Zëri