Kurti pret Dua Lipën: Kontributi që keni dhënë e po jepni për Kosovën është i pamatshëm

Kurti pret Dua Lipën: Kontributi që keni dhënë e po jepni për Kosovën është i pamatshëm

Kultura August 07, 2022 - 18:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, e cila ka ardhur në Kosovë me rastin e edicionit të tretë me radhë të Festivalit Sunny Hill.

Kurti e përgëzoi Lipën "për suksesin e saj fantastik" dhe e vlerësoi të veçantë zërin, muzikën dhe performancat e saj në skenat botërore.
 
Ai e falënderoi për përfaqësimin dinjitoz dhe promovimin e vlerave artistike të Kosovës kudo në botë.

"Kontributi që keni dhënë e po jepni për Kosovën është i pamatshëm", tha kryeministri Kurti.
 
Sipas komunikatës së qeverisë, këngëtarja Dua Lipa e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe ritheksoi angazhimin dhe përkushtimin e saj për promovimin e artistëve dhe talentëve tanë, si dhe për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në takim ishte i pranishëm edhe babai i Duas, Dukagjin Lipa, me të cilin biseduan rreth mbarëvajtjes së Festivalit Sunny Hill, që përmbyllet sonte.

Sipas komunikatës, Dukagjin Lipa tha se ky edicion i festivalit ka zgjuar interesim jashtëzakonisht të madh të të rinjve nga e gjithë bota. Ai tha se gjatë tri netëve të festivalit kanë qenë të pranishëm të rinj nga 60 shtete.   /Zëri