
Sivjet shënohet edicioni i 15-të i Chopin Piano Fest Prishtina
Chopin Piano FEST Prishtina këtë vit shënon edicionin e tij të 15-të, një festival që është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe shumë të mirëpritur për artdashësit.
Drejtoresha artistike e Chopin Piano FEST, Lejla Pula, dha më shumë detaje për mbarëvajtjen e këtij festivali, i cili do të mbahet nga data 8 maj deri më 9 qershor 2025, në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare të Prishtinës.
“Për këto 15 vite kemi arritur të sjellim në Kosovë muzikantë nga e gjithë bota, jo vetëm nga Evropa rreth 40 artistë dhe të gjithë këta kanë ardhur me shumë dëshirë. Këtë vit do ta hapim festivalin me një mysafire nga Polonia: do të performojë artistja Maria Gabryë e cila është edhe kryetare e Shoqatës së Shopin-it në Varshavë. Ajo vjen për herë të parë në Kosovë dhe do të mbajë një koncert të plotë kushtuar natës së Shopin-it”, tha Lejla Pula në RTK.
Ky festival arrin të krijojë emocione të paharruara përjetimi artistik, duke kultivuar me përkujdesje të madhe vlerat e çmuara të muzikës klasike të nivelit më të lartë kompozicional dhe interpretativ, me artistë mysafirë nga mbarë bota.
