“Magjistari nga Ozi” rikthehet në skenën e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë

“Magjistari nga Ozi” rikthehet në skenën e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë

Kultura May 13, 2025 - 08:06

Sot me fillim nga ora 17:00, në skenën e Teatrit të qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, do të rikthehet shfaqja “Magjistari nga Ozi”, shfaqje e cila u dedikohet fëmijëve.

Në qendër të kësaj shfaqjeje janë aventurat e vajzës së vogël, Dorothy, në tokën e Ozit, kur një tornado e shkëputi atë nga ferma ku jetonte në Kansas. Së bashku me qenin e saj të adhuruar Toto-n, ajo do të ndeshet me personazhe të çuditshme derisa të mbërrijë në mbretërinë e magjistarit Oz.

Regjisor i kësaj shfaqjeje kaq të dashur për fëmijë, është regjisori nga Gjakova, Butrint Pasha, ndërsa në rolet kryesore të shfaqjes “Magjistari nga Ozi” paraqiten Vlora Dervishi, Ylber Mehmeti, Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Arbies Komoni, Elida Shasivari, Vlera Pylla, pastaj Altina Kusari, Besfort Berberi, Valon Pallaska dhe Edi Gjakova.

Në njoftimin e bërë nga Teatri “Hadi Shehu” , thuhet që kjo shfaqje do të jetë një mundësi ku të gjithë të pranishmit do të kenë mundësi të krijojnë kujtime të reja dhe të bukura, në një atmosferë të mbushur me buzëqeshje, emocion dhe magji.