Sot në Prishtinë nis festivali “Polip”

Sot në Prishtinë nis festivali “Polip”

Kultura May 15, 2025 - 10:00

Nën temën “Dhe prapë dielli lind: Artikulimi kreativ i rezistencave nëpër gjeografi, histori… përtej mureve”, sot nis festivali “Polip” në Prishtinë.

Programi i këtij festivali hapet me shfaqjen siriane “Hija e gjatë e Alois Brunner”, e cila duke marrë për shkas tregimin e një prej figurave më famëkeqe të regjimit nazist në Gjermani, shpjegon edhe raportin e artistëve aktualisht refugjatë, me vendin e tyre Sirinë, shkruan Zeri.info.

Kurse në ditën e dytë në Burgun e Idealit me fillim nga ora 17:00 do të zhvillohet biseda “E kaluara që ndjek të tashmen: Artikulimi kreativ i momenteve historike”, në të cilën do të flasin artistët sirianë të shfaqjes “Hija e gjatë e Alois Brunner”.

Pas kësaj, nga ora 19:00 në Kino Armata në Prishtinë do të shfaqet filmi “Letra të hapura” i regjisores Katharine Dominice.

Dita e tretë e këtij festivali do të vazhdojë me një bisedë “Sindromi i karakterit (jo)kryesor: Përfaqësimi i grave në letërsinë e Ballkanit”, me panelistë Ivana Trajanoska dhe Robert Alagjozovski nga Maqedonia e Veriut dhe Blerina Rogova Gaxha nga Kosova, e që do të mbahet nga ora 16:00 në Burgun e Idealit.

“Nga ora 18:00 në qelitë e Burgut të Idealit, aktorët Semira Latifi, Adrian Morina e Shpëtim Selmani do të lexojnë rrëfime të ish të burgosurve politikë në Kosovë.

“Polip”-i i sivjetëm përmbyllet me shfaqjen “Bëje ose vdis”, një homazh për ish të burgosurit politikë nga Kosova, që prezantohet më 17 maj nga ora 20:00 në Burgun e Idealit në Prishtinë”, thuhet në njoftim. /Zëri

Image